Aktuale

Liberalizimi i vizave të Kosovës, Meta: Të mos veprohet emocionalisht

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për takimin në Kosovë me homologun Hashim Thaçi, për dhënien e pasaportave të Shqipërisë për shtetasit e Kosovës.

Ai tha se nëse Shqipëria do të ndërmerrte çdo veprim emocional, jo vetëm nuk do të zgjidhte problemin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës, por do të bllokonte lëvizjen e lirë të qytetarëve të Shqipërisë.

“Ndërsa në një plan më afatgjatë kjo nuk do të thoshte asgjë për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, përkundrazi do i vinte ato në një pozitë edhe më të vështirë. Ndaj unë shpresoj që pas raundit të dytë të zgjedhjeve që po bëhen atje edhe politika e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha për të kapërcyer këtë moment, sepse zgjidhja e këtij problemi do ta përqëndronte akoma më mirë Kosovën në problemet më të mëdha që ajo ka për ta çuar përpara dialogun me Serbinë, por mbi të gjitha do t’i jepte fund një frustrimi të jashtëzakonshëm që me të drejtë e kanë qytetarët e Kosovës, si të vetmit në rajon që po përjetojnë një izolim të padrejtë e të pamerituar”, tha Meta.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit treditor me ambasadorët e Shqipërisë në botë, “Ridimensionimi i Diplomacisë Ekonomike Shqiptare: Sfida dhe Mundësi”, i mbajtur në Tirana Business Park.

Meta kërkoi të promovohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, pasi sipas tij tani janë rrethanat e favorshme. “Besoj tek eksperienca juaj, do të jeni shembull bashkëpunimi’, iu drejtua Meta ambasadorëve.

“Forcimi i sigurisë rajonale dhe të përbashkët, do të ishte e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët që jetojnë në Maqedoni. Do ndihmonte në plotësimin më të shpejtë të aspiratave të shqiptarëve të Maqedonisë. Element i rëndësishëm është përparimi i Kosovës, të cilat kohët e fundit kanë një vështirësi të paparashikueshme, demarkacioni me Malin e Zi, që është vendosur dhe Anëtarësim i Malit të Zi në NATO është me rëndësi. Do të theksoja rëndësinë edhe të bashkëpunimit të përfaqësuesve të rajonit. Në këtë drejtim besoj tek eksperienca juaj, tek motivimi i juaj dhe se do jeni një shembull i këtij përfaqësimi në vendet e rajonit, kudo ku jeni”, tha Meta.