Aktuale

Liderët optimist për zgjedhje të besueshme

Liderët politik në Maqedoni janë optimist për zgjedhje të besueshme në 11 dhjetor.

Pas takimit të djeshëm ata të gjithë pretenduan se këto zgjedhje janë zgjidhja e vetme e daljes nga kriza dhe se do të jenë demokratike.

“Qëllimi jonë ka qenë tashmë një vit të ketë zgjedhje për zgjidhje. LSDM krijonte kriza për t’i shtyrë zgjedhjet. Zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta dënojnë këtë politikë. Është mirë që nënshkruan ata që do të shkojnë në zgjedhje”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

“Nga sot regjimi i Gruevskit shkon në histori, më 11 dhjetor do ta fitojmë krimin, varfërinë dhe mafinë. Ju ftoj në mobilizim për fitoren e Maqedonisë. Këto zgjedhje do të jenë referendum. I paralajmërojmë të mos e shkelin marrëveshjen dhe të mos e pengojnë punën e Prokurorisë Speciale”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

“Arritëm marrëveshja për zgjedhje të lira dhe demokratike. Nga 2 shtatori do të formohet Qeveria e cila do t’i organizojë zgjedhjet. Çfarë kemi diskutuar në takim është në marrëveshjen e nënshkruar”, u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Vendosëm për zgjedhje më 11 dhjetor, përgjegjësinë do ta mbajnë ato që e nënshkruan dokumentin. Ne shpresën e vetme e kemi te faktori ndërkombëtar”, deklaroi kryetari i PDSHsë, Menduh Thaçi.

Në marrëveshje thuhet se partitë njëzëri konfirmuan se të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016, në pajtim me marrëveshjen e 20 korrikut, janë përmbushur.

Parlamenti do të shpërbëhet si parashihet në Kushtetutën e Maqedonisë kurse Qeveria për zbatim të zgjedhjeve do të zgjidhet në 2 shtator.

Santa Argirova do të zgjidhet kryeredaktore e MTV1 në 2 shtator 2016 dhe do të mbetet në këtë post deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Liderët i bënë thirrje Këshillit të medias t’i rikthehen metodologjisë të 5 Janarit 2016 dhe të intervenojnë që dispozitat e saj të aplikohen nga 2 shtatori deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Partitë u bëjnë thirrje katër anëtarëve të trupit Ad Hok që të zgjedhin Lulzim Hazirin si anëtar të pestë.

Arritjen e marrëveshjes e kanë përshëndetur edhe ndërkombëtarët.

Ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli deklaroi që partitë, mediat dhe qytetarët duhet të angazhohen që vendi të shkojë përpara.

“Ajo që është më me rëndësi është se çka do të bëjnë partitë politike, mediat, qytetarët. Këto janë ato vendime të cilat në fund do ta sjellin vendin në zgjedhje kredibile dhe do të mundësojnë që shteti të shkojë para në reforma të cilat do të sjellin në integrime euroatlantike. Kjo do të jetë pika kritike që do të ndodhë. Mediat do të kenë rol të rëndësishëm”, deklaroi Xhes Bejli.

Në një komunikatë me shkrim përfaqësuesja e lartë Federika Mogerini dhe eurokomisionari Johanes Han kanë obliguar partitë për zbatim të plotë të saj dhe angazhim për zbatimin e reformave prioritare.

“I ftojmë të gjithë partitë politike që në mënyrë strikte ta respektojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor, t’u lejojnë qytetarëve zgjedhje të lirë kurse pas zgjedhjeve, të formojnë qeveri e cila do të merret me reformat prioritare dhe do të punojë në interes të të gjithë qytetarëve”, thanë Federika Mogerini dhe Johanes Han.

Pas dështimit më 24 prill dhe 5 qershor, 11 dhjetori është data e tretë për të cilët liderët arritën pajtimin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.