Rajon & Botë

Ligji për ekstradimin në Hong Kong “është i vdekur”

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se ligji kontrovers që do të mundësonte ekstradimin në Kinë “është i vdekur”.

Në një konferencë për media të martën, Lam tha se puna e qeverisë në këtë projektligj ka qenë një “dështim total”.

Megjithatë, ajo nuk tha se ligji është tërhequr plotësisht, ashtu siç kërkojnë protestuesit.

Lam pranoi se ka “dyshime të vazhdueshme për sinqeritetin e qeverisë” dhe “shqetësime” se procesi i miratimit të projektligjit do të rifillojë.

“E përsëris këtu – nuk ka një plan të tillë. Projektligji është i vdekur”, tha ajo.

Ky projektligj, tash e sa javë, ka shkaktuar protesta masive në Hong Kong dhe qeveria tashmë e ka pezulluar për kohë të pacaktuar.

Kritikët e legjislacionit thonë se ai do të dëmtonte pavarësinë gjyqësore të Hong Kongut dhe do të mund të përdorej kundër atyre që flasin kundër Qeverisë kineze.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme”, që i garanton një nivel autonomie.

Ai ka gjyqësorin e tij dhe një sistem të veçantë ligjor.

Protestat, disa prej tyre të dhunshme, kanë vazhduar edhe pasi qeveria e ka pezulluar projektligjin për ekstradim në mes të qershorit.

Një nga figurat kryesore të protestave, aktivisti studentor, Joshua Wong, përsëriti kërkesën që ligji të “tërhiqet formalisht” dhe tha se Lam bën lojë fjalësh për të “gënjyer popullin e Hong Kongut”.

Në një postim në Twitter, ai tha se deklarata e Lam se ligji është i vdekur “është një tjetër gënjeshtër qesharake për njerëzit e Hong Kongut dhe mediat e huaja” sepse, siç tha ai, ligji ekziston në “programin legjislativ” deri në korrik të vitit të ardhshëm.

Më 1 korrik, protestuesit e kanë pushtuar Parlamentin e Hong Kongut për orë të tëra, duke shkatërruar fotografi dhe duke shkruar në muret brenda ndërtesës.

Shumë prej demonstruesve po ashtu bëjnë thirrje për dorëheqjen e Lam dhe kërkojnë nga policia që të mos ndjekë penalisht të arrestuarit gjatë protestave.

“Nuk është një gjë e thjeshtë për shefin ekzekutiv që të heqë dorë dhe unë ende kam pasionin dhe përgjegjësinë për t’iu shërbyer njerëzve të Hong Kongut”, tha Lam kur u pyet për kërkesat e protestuesve.

Kina i ka cilësuar protestat si “sfidë të hapur” ndaj modelit “një shtet, dy sisteme”, që i jep Hong Kongut liritë që nuk gëzohen në territorin e Kinës, përfshirë të drejtën për të protestuar dhe gjyqësorin e pavarur./Rel

the authorBurbuqe Metolli