Aktuale

Ligji për Shërbimin Civil dhe ai për pagat nuk po zbatohen

Drejtues të Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike kanë për synim të kenë një administratë publike më efikase dhe më profesionale duke qenë njëkohësisht edhe në rrugën e reformave të cilat kërkohen edhe nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat nuk janë ende të zbatueshme në tërësi.  Kështu u tha sot në mbledhjen e radhës të mbajtur në  Këshillin e Ministrave për Reformën e Administratës Publike.

Ministri i Administratës Publike që njëherësh është edhe kryesues i këtij  Këshilli, Mahir Yagcilar,  theksoi se aktualisht janë angazhuar për procesin e reformës së  Administratës Publike konkretisht për  rregullimin Strategjisë për Planifikim dhe Koordinim të Politikave.

Gjithashtu ministri Yagcilar tha se janë duke punuar intensivisht për përmirësimin e legjislacionit primar për administratën publike, të Ligjit për Shërbimin Civil, për Ligjin përPpagat dhe për Ligjin për Administratë Publike. Të gjitha këto ligje, sipas tij, mundësojnë edhe përfitimin e mjeteve financiare nga Komisioni Evropian.

 

“Ky është synimi të kemi një administratë publike më efikase, më profesionale dhe të jemi në rrugën e reformave të cilat kërkohen  edhe nga Bashkimi Evropian. Në këtë aspekt, unë besoj se do të vazhdojmë punën së bashku edhe më tutje që të aprovojmë këto strategji, port ë zbatojmë dhe të realizojmë këto objektiva që të kemi një administratë në nivelin e duhur”, tha Yagcilar.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, foli për hapat e ardhshëm për zbatimin e Strategjisë për Reformë të menaxhimit të financave publike 2016-2020. Ai tha se pas analizave dhe konsultimeve të shumta nga ekipi përgjegjës janë identifikuar 12 prioritete strategjike të ndërtuara mbi katër shtylla, e që kanë të bëjnë edhe disiplinën fiskale.

 

“Me qëllim të adresimit të këtyre sfidave, ekipi përgjegjës që ka qenë për hartimin e këtij dokumenti prej 16 anëtarëve pas analizave dhe konsultimeve të shumta që ka pasur ka identifikuar 12 prioritete strategjike të ndërtuara mbi katër shtylla, e që janë disiplina fiskale… shtylla e dytë është efikasiteti alokues që ka të bëjë me kornizën afatmesme të shpenzimeve, shtylla e tretë është efikasiteti profesional që ka të bëjë me prokurimin publik dhe shtylla e katërt që është e ndërlidhur me menaxhimin e financave publike ka të bëjë me përmirësimin e sistemit të IT-ve, transparencën në buxhet”,  tha Krasniqi.

Për hartimin e pakos së legjislacionit për administratën publike dhe analizën e rishikimit kualitativ të agjencive dhe institucioneve të pavarura, ka folur drejtori i departamentit ligjor në kuadër të MAP-it, Naser Shamolli, i cili theksoi se për Ligjin për Shërbimin Civil kanë marrë vërejtje  të vazhdueshme për fushë veprimtarin e shërbimit civil.

“Tek shërbimi civil, ne si Ministri, por edhe nga raportet e ndryshme ka pasur vërejtje të vazhdueshme në kuptimin e fushëveprimit të shërbimit civil. Kjo mungesë na ka sjellë para një situate që disa kategori të punësuarve të vetcilësohen ose të përjashtohen nga shërbimi civil… Si opsion është që ky ligj t’i përfshijë të gjithë të punësuarit në sektorin publik, duke i përjashtuar vetëm funksionarët publik dhe ushtrinë… Ne jemi para një situatë që kemi një ligj për pagat e nëpunësve civil që nuk është ende plotësisht i zbatueshëm”, tha Shamolli.

Derisa flitej për planifikimin dhe sigurimin e resurseve për zbatim të Reformës së Administratës, mediat u nxorën jashtë mbledhjes së këtij Këshilli. /KP