Aktuale

Limaj: Është koha të respektohet djersa e punëtorëve

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, të martën zhvilloi një bashkëbisedim me punëtorët e fabrikës së mobileve ‘Dardania Model’ në Shtime, gjatë të cilës ka shpalosur programin e Nisma.

Ai me këtë rast tha se ka ardhur koha që të vlerësohet djersa e punëtorëve dhe se shteti duhet t’i japë mundësi të gjithëve në ndërtimin e shtetit.

“Ka ardhur koha në vendin tonë me i dhënë krah edhe me vlerësua punëtorin , ai që me djersë e mban familjen e tij dhe kjo është detyra e shtetit me ia dhënë mundësinë të gjithëve, pastaj kush do të punojë punon, kush nuk donë, rezultatin e ka zero. Shteti duhet me ia dhënë mundësinë, duhet krijuar lehtësi hapësira për me pas mundësi djali apo vajza e re me u kap në ndërtimin e jetës. Në Kosovë janë diku sipas regjistrimeve zyrtare 25 mijë familje që nuk e kanë asnjë njeri të punësuar, janë 107 mijë banorë në vendin tonë që në fund të muajit nuk i shkon rroga, por i shkon ndihma sociale. Ne besojmë këtu duhet të fillohet të ndërpritet pabarazia dhe të fillohet të zbutet kjo pa barazi për me iu dhënë mundësi njerëzve dhe ne besojmë që na këtu duhet të fillohet punësimi, të jepet mundësia në përparësi njerëzve, të cilëve nuk e kanë asnjë nga anëtarët e familjes të punësuar” , tha Lim aj.

Kreu i Nisma, Fatmir Limaj tha se shteti duhet të ndërtojë kontrata me kompanitë për punësim, por që shteti duhet ta paguajë një vit, ndërsa kompania dy vite të tjera. Sipas Limajt, kjo do të ndihmonte edhe në aftësimin e punëtorëve dhe në lehtësimin e punës së kompanisë.

“Në qoftë se Imria ka nevojë dhe kërkesë për vende të reja të punës, për fuqi punëtore shteti është i gatshëm me ardhur me ndërtuar një kontratë, në marrëdhënie kontraktuale mes kompanisë “Dardania” dhe shtetit një kontratë trevjeçare për një punëtor. Ne, shteti e paguan një vit, dy vjet e merr përsipër ta paguajë kompania. Për një vit ai mjaftueshëm merr edhe zanat këtu, për mos me humb kompania në mësimin e atij burri, vajze, djali, ne në një farë mënyrë edhe e përgatitim profesionalisht punëtorin që ka shumë njerëz pa punë edhe nuk kanë zanat, por edhe nuk e ngarkojmë kompaninë”, tha ai.

Kryetari i Nisma për Kosovën pati një porosi edhe për të gjithë pronarët, ku tha se nuk mund të ketë një biznes të suksesshëm në qoftë se punëtori nuk është i lumtur dhe nuk është i kënaqur me rrogën.

Ai tha se duhet të respektohet ligji i punës dhe orari i punës.

“Nuk ka mundësi me pas një biznes të suksesshëm nëse punëtori është i pa lumtur , nëse punëtori nuk është i kënaqur me kompaninë, me pronarin, me rrogën, me djersen e vet, kështu që bëni të lumtur punëtorët e juaj për mundësinë që ke, të respektohet ligji i punës deri në fund, të respektohet orari i punës, të shtohet orari i punës të shtohet sikur çdo ku në botë të paguhet. Me një fjalë të jemi brenda rregullave nëse na takon një shoqëri normale me të cilën po pretendojmë këtu fillon ai integrimi i madh dhe orientimi i vendit tonë”, tha Limaj.

Në këtë vizitë i pari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ishte i shoqëruar edhe nga disa kandidatë për deputetë./kp