Aktuale

Limaj: Me Nismën në Qeveri merr fund bllokimi i Malishevës

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se pas 11 qershorit, do të përfundojë bllokimi që i është bërë komunës së Malishevës nga Qeveria e kaluar.

Ai tha se djemtë dhe vajzat e Malishevës nuk do të diskriminohen por do të kenë të drejtat si gjithë të tjerët. Këto komente kreu i Nisma për Kosovën i bëri në hapje të fushatës në komunën e Malishevës.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, para bashkëqytetarëve të tij tha se Kosova e ka kuptuar që Malisheva është fuqia numër një e cila do të ja jap fitoren projektit të Nisma për Kosovës.

 

Prezenca juaj këtu edhe një herë i tregon gjithë Kosovës se në Malishevë Nisma për Kosovën është fuqia numër një e cila do të ja jap fitoren e madhe projektit tonë. Ne sot, qytetarët e komunës së Malishevës, burra e pleq, gra, djem e vajza e kanë kuptuar mirë projektin e Nisma për Kosovës. Sot këtu të bashkuar i themi Po projektit të fitores së Nismës për Kosovën e Malishevës”, tha Limaj.

Ai u tha qytetarëve të Malishevës se nuk janë aty për të përkrahur Nismën por për djemtë dhe vajzat e Malishevës që tash do të kenë një perspektivë.

Limaj, u tha qytetarëve të Malishevës se koha e diskriminimit për qytetarët e Malishevës dhe për Malishevën ka përfunduar, pasi që Nisma do të jetë në Qeveri dhe do të kujdeset për qytetarët e saj.

 

“Para tri, katër viteve nuk kemi premtuar, kemi kërkuar besimin e zemrës, sot kemi  ardhur me iu thënë që koha e bllokadave, koha diskriminimit për Malishevën ka përfunduar dhe tani e tutje Nisma do të jetë në qeveri dhe ajo do të kujdeset për qytetarët e vet”, tha Limaj.

Ai tha se është koha që të rinjtë e Malishevës të kenë të drejta si gjithë qytetarët e tjerë te Kosovës.

E për herë të parë për të bërë fushatë me partinë në të cilën është kryetar i këshillit kombëtar doli Jakup Krasniqi.

Krasniqi tha se kanë ardhur për të kërkuar mbështetje për atë që mund të bëjnë sot, e duhet ta bëjnë edhe nesër.

Sipas tij Malisheva është gati për t’i dhënë ndryshimin Kosovës.

 

“Sot para kësaj mase fjalët janë të varfra për ta thënë gatishmërinë e këtyre njerëzve që janë në këtë sallë dhe gatishmërinë e shumë të tjerëve që s’kanë mundur të vijnë sot këtu, gatishmërinë tuaj për ndryshimin që i keni dhënë fillimisht Malishevës dhe tani gatishmërinë që do t’ia jepni Republikës së Kosovës”,  tha Krasniqi.

Ndërsa kandidati për deputet ish-gazetari  Milaim Zeka, tha se kandidatët për deputet nga Nisma do të kenë sa vota në Malishevë aq edhe në Drenicë.

 

“Po ju garantoj në emrin e Xhevë Lladrovcit se këta deputet sa në Malishevë kanë me pas vota në Drenicë, sepse Malisheva ka qenë krenaria e Kosovës, Malisheva ka qenë Drenicë e Drenica është Malishevë”, tha ai.

Nisma për Kosovën do të mbajë tubime parazgjedhore edhe në Drenas dhe Rahovec. /kp