Aktuale

Lirak Çelaj vendos ‘rampë’ për ‘jo-prishtinalitë’?

Lirak Çelaj, kandidati i PDK-së për Komunën e Prishtinës, ka vendosur që pjesë e programit të tij qeverisës të jetë vendosja e një “rampe” për jo-prishtinasit.

Kjo “rampë” ai ka thënë se do vendoset në çdo pikë hyrëse të Prishtinës dhe banorët e komunave tjera do të detyrohen të paguajnë një lloj takse për të marrë të drejtën e qarkullimit nëpër kryeqendër.

Çelaj e ka thënë këtë gjatë takimit me aktivistë në degën e Dardanisë, Prishtinë.

Burime të “Zërit” thonë se ai nuk ka pyetur e as konsultuar dikë vetëm se para tyre në mbledhjen e mbajtur sot vonë ka bërë të ditur se kjo do të jetë pikë e programit të tij.

I kontaktuar nga “Zëri”, Çelaj nuk ka pranuar të flas në këtë orë në lidhje me këtë.
Ai nuk ka mohuar e as pohuar këtë, por ka thënë se në ditët në vijim do të bëjë publik programin e tij.