Opinione

Liria e shprehjes dhe e shtypit dhe rrugëtimi për në Bashkimin Evropian

Shkruan: Naile Demiri

Një nga sfidat më të ndjeshme e cila reflekton në mënyrën më besnike në shkallën përmbajtjesore të zhvillimit të një demokracie, është liria e shprehjes dhe e shtypit apo mungesa e këtyre lirive, të cilat si të tilla, për shkak të rëndësisë së madhe, kanë edhe ditën e cila shënohet sot. As vendi ynë nuk bënë përjashtim nga kjo rregull, përkundrazi. Në Kosovë sot ka liri të shprehjes dhe liri të shtypit, pa dyshim dhe kjo është e arritur e jona e cila nuk është bërë as lehtë, as pa sakrifica. Fundja ajo është e garantuar edhe me ligje, por edhe me aktin më të lartë, Kushtetutën e vendit tonë. Sot në Kosovë gjithashtu kemi medie të cilat për nga profesionalizmi, për nga teknologjia dhe për nga shpejtësia dhe kualiteti i lajmeve dhe programeve, nuk ngecin aspak nga mediat e ndryshme në rajon, por edhe më gjerë. Kjo mund të thuhet edhe për Radiotelevizionin e Kosovës ashtu sikundër mund të konstatohet edhe për disa medie private të cilat tashmë kanë pas vete një përvojë solide në këtë drejtim. Sigurisht se kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Liria e shprehjes dhe liria e shtypit në Kosovë kanë edhe ngecje edhe defekte, me të cilat, nganjëherë jemi në nivel me ato të rajonit, por nganjëherë dimë edhe tua kalojmë atyre, në sensin negativ gjithsesi. Kjo ngecje determinohet nga shumë faktor, si ato të trashëguara nga mendësia soc-realiste, ashtu edhe nga rrethanat ku, diskriminimi dhe lufta, e stërzgjatën fazën e tranzicionit, me ç’rast mëkëmbja dhe kthimi në normalitet, kërkuan shumë më shumë kohë dhe mund nga të gjithë dhe në të gjitha fushat.

Ngecjet dhe defektet në këtë fushë, janë të pranishme edhe sot dhe ato determinohen në rend të parë nga deformimet dhe mosefikasiteti me rastin e zbatimit të ligjeve të cilat rregullojnë këto segmente të demokracisë. Me këtë rast nuk duhet të hezitojmë e ta përmendim, bile më shpesh se që e bëjmë, të vërtetën të cilës nuk mund t’i bishtërojmë se, Brukseli jo vetëm një herë, na ka kritikuar në këtë drejtim.

Që të ketë përmirësime të dukshme në këtë sferë, sferë kjo e cila tashmë ka standarde të projektuara qartë nga Brukselin zyrtar, ne duhet të kemi efikasitet në punën e prokurorisë dhe gjykatave, në luftimin e korrupsionit, në lirinë dhe të drejtat e njeriut, në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, në mbrojtjen e privatësisë së individit, në punën e administratës publike etj. Të gjitha këto, dhe jo pak të tjera si këto, në një ose mënyrë tjetër, janë të ndërlidhura me lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Pa pasur progres të ndjeshëm në këto sfera, nuk do të ketë progres përmbajtjesor as në lirinë e shprehjes dhe në lirinë e shtypit. Apo nëse konstatojmë ndryshe, sa më shumë që të kemi progres në këto segmente të shtetndërtim dhe demokracisë, aq më shumë do të këtë zhvillime pozitive në lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

Ajo që ne si shoqëri më së shumti ballafaqohemi në këtë drejtim tash sa kohë, është që liria e shprehjes dhe e shtypit ende nuk i kanë të qarta vijat e kuqe, tejkalimi i të cilave cenon lirinë e individit, por edhe atë të kolektivit, apo subjektit përkatës. Në të njëjtën kohë, gjithashtu nuk është kuptuar drejtë ende se, vënia e këtyre vijave të kuqe, nuk duhet asnjëherë ta parandalojë, as edhe frikësoj përpjekjen për ta parandaluar dhe hulumtuar të keqen, rrezikun dhe korrupsionin. Vënia e këtij bilanci funksional, është sfidë e pandalshme për të gjithë ne që punojmë në medie apo në një ose mënyrë tjetër merremi me to.

Në anën tjetër, fakti se gjetja e këtij bilanci funksional, është sfidë e vështirë me të cilën ballafaqohen sot e kësaj dite edhe shoqëritë larg më të përparuara e më demokratike se kjo e jona, tregon se ne duhet t’i marrim mediet shumë seriozisht, edhe kur investojmë për to edhe kur nxjerrim ligje për t’i rregulluar ato. Të gjitha këto, pos tjerash edhe pse, vonesa për të pasur progres përmbajtjesor në sferën e lirive të shprehjes dhe lirive të mediave, do ta vonoj rrugëtimin tonë drejtë BE-s, larg më shumë se që ne sot mund ta marrim me mend.