Aktuale

Lirohet i dyshuari për vrasjen e Donjeta Pajazitit. Arrestohet i vëllau i saj!

Sipas aktgjykimit të gjykatë në Pejë, nuk është arritur të dëshmohet se i akuzuari ka kryer vrasjen e të rejës Donjeta Pajaziti, që ka qenë edhe kushërirë e tij.
Të mërkuren, Gjykata në të njëjtin aktgjykim e ka dënuar Naser Pajazitin vetëm për dy vepra penale te armëmbajtjes pa leje të dy lloje të armëve. Ai për këtë është dënuar me dënim unik 2 vite e katër muaj.

Mirëpo drama e gjykimit nuk përfundoi brenda sallës. Policia e Kosovës e ka arrestuar vëllain e Donjeta Pajazitit, menjëherë pasi ka përfunduar seanca ku u shpall dënimi për të akuzuarin.

Vëllai i Donjetës ka përplasur me shqelm derën e gjykatores në shenjë revolte, raportoi Express.

Pasi gjykata vendosi ta lirojë Naser Pajazitin, nga akuzat për vrasje të Donjeta Pajazitit, i dhimbshëm ka qenë reagimi i nënës së vajzës së ndjerë.

Ajo e ka shprehur mllefin për vendimin e Gjykatës. Thotë se nuk ka shtet në këtë vend.

“S’ka shtet as s’ka kurgjo ktu hiç, korruptim është krejt kjo, mallkue ju koftë u zot, qysh çika tu shkue në punë e me mardh në arkivol edhe mas mromi kurgjo, po qysh shkon more kështu, a jeni në veti”, fliste nën lot nëna e Donjetës.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës, nuk është arritur të dëshmohet se i akuzuari ka kryer vrasjen e Donjetës, e cila ka qenë edhe kushërirë e tij

Donjeta Pajaziti disa javë ishte shpallur e zhdukur derisa u gjet e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit. Për vrasjen e Donjetës dhe zbardhjen e këtij rasti disa herë u organizuan protesta dhe marshe paqësore.