Aktuale

Lutfi Haziri: Po mundohemi të gjejmë një kandidat konsensual për President

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri po thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u munduar që të gjejë një kandidat konsensual që do ta propozojnë për president, tash kur kjo çështje është bërë arsyeja e vetme që po i lë larg koalicionit me partinë e Albin Kurtit, raporton Gazeta Express.

Në një bisedë për Periskopin, Haziri ka thënë se me Vetëvendosjen janë duke punuar në baza ditore për arritjen e një marrëveshje, e shton se negociatat për ndarjen e përgjegjësive janë duke marrë kohë më shumë.

“Po punojmë mbi baza ditore për arritjen e marrëveshjes, pas rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Ka vullnet e angazhime të dyanshme. Negociatat e ditëve të fundit lidhur me ndarjen e përgjegjësive po marrin më shumë kohë se që ka marrë pjesa programore e sektoriale. Besojmë shumë që me biseda do të shtjerrën të gjitha mundësitë që të gjendet një rrugë e përbashkët në ndërtimin e qeverisë për ndryshim”, ka deklaruar Haziri.

Tutje, ai ka thënë se LDK-ja nuk është duke kërkuar më shumë se që ka marrë besim qytetar.

“Edhe LDK nuk kërkon më shumë se që ka marr besimin qytetar. Përtej kësaj, ne e kemi vendosur standardin që partia e parë, qoftë edhe me një votë, do ta ketë kryeministrin. Ndërsa, roli i LDK’së në qeverisjes do të jetë sipas peshës së votës qytetare”, shton tutje.

Nënkryetari i LDK-së u shpeh se janë duke u munduar që të vendosin për një kandidat konsensual që do të zëvendësojë Hashim Thaçin.

“Ne po mundohemi bashkërisht që ta gjejmë modalitetin e një presidenti konsensual, i cili në të ardhmen do t’i përfaqësojë interesat në frymën e Kushtetutës së Republikës. Ditëve të fundit po punohet shumë që roli dhe përgjegjësia e partnerëve në institucionet e shtetit, siç është Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe sektorët ekzekutiv, të definohen qartë në mënyrë që të mos lejohet dykuptimësi dhe mosmarrëveshje eventuale gjatë ushtrimit të mandatit të koalicionit në të ardhmen”, bëri të ditur, derisa komentoi edhe lajmet se Ministria e Kulturës do t’i shkojë minoriteteve.

“Është çështje që është duke u diskutuar brenda mënyra dhe forma e ndarjes dhe riorganizimi do të jetë çështje që partnerët do të vendosin se si do të duket qeveria në strukturë”, deklaroi ai.

Nënkryetari i LDK-së, ka thënë se caktimi i seancës nga presidenti ka qenë befasi edhe për partinë e tij.

“Së pari, partitë politike kanë pritur konsultime nga presidenti. Besoj që caktimi i datës së seancës së jashtëzakonshme në mënyrë të njëanshme, ka qenë befasuese, edhe për LDK’në, edhe për partitë tjera, besoj. Krejt kjo është brenda afatit ligjor dhe natyrisht që po bëjmë përpjekje që të përballohen dallimet, në mënyrë që të arritët një marrëveshje”, tha ai.

Haziri në fund ka thënë se me partinë e Kurtit nuk janë duke punuar për marrëdhënie të kushtëzuara.

“Nuk po punojmë në marrëdhënie të kushtëzuara. Po punojmë në marrëdhënie partneriteti. Unë besoj shumë që kjo logjikë e punës do të ndihmojë në tejkalimin e dallimeve. Natyrisht që ne dallojmë si parti politike sepse jemi dy ideologji të ndryshme. Por, duke qenë opozitë dhe duke qenë më të votuarit, ne kemi përgjegjësi para qytetarëve. Me këtë sens po punojmë që të arrihet një marrëveshje e përbashkët”, tha ai./GazetaExpress/