Rajon & Botë

Madridi “pushtohet” nga papagajtë

Autoritetet lokale në kryeqytetin e Spanjës si duket janë lodhur nga numri i madh i papagajve në qytetin e tyre të bukur. Më saktësisht, ata kanë dalë kundër papagajve të gjelbër dhe foleve të tyre të mëdha, të cilat po vlerësohen si të rrezikshme.

Këshilli i qytetit ka njoftuar se ka bërë plan që ta zvogëlojë numrin e këtyre papagajve pasi një hulumtim i ri dëshmoi se numri i tyre është rritur nga 9 mijë në 12 mijë në tre vjetët e fundit. Në vitin 2005, në Madrid jetonin vetëm 1700 zogj të tillë.

Ndonëse këta zogj janë autoktonë në Argjentinë, shumë prej tyre u sollën në Spanjë për t’u shitur si shpezë shtëpiake para se mbajtja e tyre të ndalohej me ligj para tetë vjetësh.

Autoritetet lokale të Madridit thonë se numri i tyre duhet të kontrollohet, sepse papagajtë po garojnë me speciet tjera për ushqim dhe po e dëmtojnë mjedisin përmes copëtimit të bimëve, të cilat i përdorin për t’i ndërtuar foletë e tyre të mëdha.

Zyrtarët gjithashtu thanë se ata paraqesin rrezik për shëndetin publik, sepse mund të transmetojnë sëmundje të ndryshme. Një problem tjetër është edhe madhësia e çerdheve të tyre, të cilat mund të peshojnë deri në 200 kilogramë dhe mund t’i rrezikojnë njerëzit.

Këshilli tha se i ka marrë 197 ankesa nga qytetarët për shkak të papagajve nga janari deri në gusht të këtij viti, ndërsa 218 të tilla gjatë vitit të kaluar, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.