Aktuale

Malazezët tentojnë të arratisen nga burgu i Sigurisë së Lartë

Policia e Kosovës konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar S. V., gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe P. M., shqiptar, zyrtar në Ministrinë e Diasporës nën dyshimin se të njëjtit në bashkëpunim kanë kryer veprat penale “marrje ryshfeti”, Neni 428, “dhënie ryshfeti” Neni 429 dhe “përvetësim në detyrë” Neni 425.

Dy të dyshuarit, sipas Policisë, duke shkëmbyer (dhënien) e parave në shumë prej 3.000,00 (tre mijë euro) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë .

Burime brenda Policisë ë Kosovës kanë bërë të ditur për “Zëri.Info” se dy të dyshuarit këtë marrëveshje e kishin bërë me malazezët e paraburgosur të cilët janë arrestuar në korrik të këtij viti në Prishtinë.

“Zëri” ka mësuar se për të mundësuar arratisjen e tyre nga paraburgimi në burgun e Sigurisë së Lartë, malazezët e arrestuar muaj më parë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitje të substancave narkotike, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetasit serb Strahinja Dankoviq kishin bërë marrëveshje në vlerë prej 3000 euro me gardianin e Shërbimit Korrektues të Kosovës S.V.

Marrëveshja ishte që gardiani i nacionalitetit serb S. V tu mundësonte atyre futjen e telefonit dhe gjësendeve të tjera të nevojshme në mënyrë që të dyshuarit të arrinin të arratiseshin nga burgu.

Krejt kjo është bërë në kohën kur prokurori i rastit në një prononcim për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se është në përfundim të hetimeve dhe shumë shpejt pritet të ngritet aktakuza ndaj dy malazezëve Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, si dhe shtetasit serb Strahinja Dankoviq dhe kosovares Laureta Zyba.

Pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë Mario Milosheviq është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në kuadër të grumbullimit të provave lidhur me rastin e vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq në janar të këtij viti.

Milosheviq nga prokuroria është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo intervistimi i tij nuk ka ndihmuar prokurorinë në identifikimin e vrasësit apo zbardhjes së këtij rasti.

Ndaj tij ka urdhër arrest ndërkombëtar në Interpol nga shteti i Malit të Zi nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të shkallës së parë Vrasje.

Ndërsa malazezi tjetër i dyshuar Gjorgje Paviqeviq kërkohet për shkak të arratisjes nga Spitali special Psikiatrik në Kotorr, ku ai po vuan një dënim me burg për veprën penale të rrëmbimit në bashkëveprim me veprën penale të tentim zhvatjes.

Ndryshe, Dy malazezët, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq si dhe kosovares Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik nga Policia e Kosovës.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

the authorBurbuqe Metolli