Aktuale

Maqedoni-Shqipëri, bashkëpunim i mirë i policive kufitare

Policia kufitare e Maqedonisë dhe e Shqipërisë kanë bashkëpunim të mirë i cili përbëhet nga takime të përbashkëta, dakordime, këmbim të informacioneve dhe përvojave me qëllim të eliminimit të të gjitha dukurive negative.

Si rezultat i kësaj në zonën kufitare midis dy vendeve, pothuajse tërësisht janë eliminur dukuritë e dikurshme të tregtisë së palejuar të çdo lloji, kalimet ilegale dhe ngjashëm.

“Bashkëpunimi i mirë dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, gjithsesi do të thotë shumë edhe gjatë rasteve me karakter humanitar, kur u mundësohet personave nga Gollo Bërdo, të cilëve u nevojitet ndihmë mjekësore të transportohen në Dibër. Një prej rasteve të shumta me karakter human është edhe ai i djeshëm, kur, përmes vendkalimit Xhepisht-Trebishte, në Spitalin e përgjithshëm në Dibër u soll personi i lënduar në fatkeqësinë e rëndë, që ndodhi në fshatin Trebishte”, vlerëson Xhelal Lata, shef i policisë kufitare, Qendra rajonale – Perëndim.

Lata e thekson angazhimin e të dyja palëve që bashkëpunimi të thellohet që, gjithsesi është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe sigurisë së kufirit.