Rajon & Botë

Maqedonia nuk ‘rehatohet’ ende në kontekstin e emrit

Temë diskutimi në këtë javë padyshim se ishte konteksti mbi emrin e Maqedonisë.

Polemikat dhe konfliktet lindën për propozimin e emrit ‘Republika e Maqedonisë së Epërme’ ku reagimi i Greqisë ishte i menjëhershëm.

Madje për çështjen e emrit pati edhe protesta në Athinë, protesta këto që patën mijëra protestues, e që disa protesta nuk ishin edhe të qeta, sepse policia u detyrua të përdor gaz lotsjellës pas përleshjes, shkruan arbresh.info.

Këto protestat u zhvilluan pas një ndërmjetësimi në bisedimet mbi mosmarrëveshjen mbi emrin e Maqedonisë, i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Matthew Nimetz, vizitoi Athinën dhe Shkupin, ku ai diskutoi me zyrtarët mundësitë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes 25-vjeçare.

Por protesta kundër emrit “Maqedoni” në zgjidhjen eventual për kontestin e emrit mes dy vendeve, nga drejtuesit e institucioneve shihet si pjesë e debatit për mbylljen e problemit prej më se dy dekadave. Protesta të tillë, sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani do të ketë edhe në të ardhmen, por me rëndësi sipas tij është që lidershipi i dy vendeve të tregojë pjekuri të lartë dhe guxim për arritjen e zgjidhjes përfundimtare.

“Do të ketë sfida, dhe sa më shumë që do të do afrohemi drejt zgjidhjes, aq më shumë do të ketë pengesa në këtë rrugë. Edhe protestat e të dielës në Greqi i shoh pjesë e debatit publik që po zhvillohet në këtë drejtim. Zhvillime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen, por është me rëndësi që lidershipi politik në të dy vendet të tregon durim, të tregon rezistencë në kërkesën për zgjidhjen finale. Mendoj se tani është koha për vendime të vështira. Është shumë lehtë që ndjekim energjinë që krijon protesta, por me rëndësi është që të sjellim vendime të duhura e jo vendime të lehta”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Osmani, duke theksuar se zgjidhja e çështjes së emrit do të hapte perspektivën euroatlantike të vendit.

Ndërsa Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese nuk beson se masiviteti i protestave në Greqi do të zmbrapsë politikanët e dy vendeve, në qëllimin për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emri. Por, qasjen e protestuesve që po marrin mbështetjen edhe të Kishës Greke ai e quan të “vjetruar”.

Ai thotë se dëshmi se një gjë e tillë nuk është Kushtetuta e vendit, e cila si prioritet kryesor ka integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, e aq që mund të ketë. Kjo qartë thuhet edhe në Kushtetutën tonë. Maqedonia e ka vendin në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë duhet të zgjidhet kontesti rreth emrit. Vlerësoj se kjo është edhe në interesat e Greqisë, pasi ky rajoni ku ndodhet nuk mund të mbetet jashtë unionit. Nga kjo do të ketë përfitime Greqia dhe qytetarët e saj, pasi vendosja e raporteve të mira do të krijojë mundësi për bizneset dhe zhvillimin e tyre ekonomik”, thotë Temellko Ristevski.

Përveç në Athinë, protesta herë pas herë po mbahen edhe në Shkup, por në Shkupë protestuesit kërkojnë mos ndryshimin e emrit. Megjithatë, për dallim nga Athina, pjesëmarrja e protestuesve ishte thuajse simbolike.

E nëse arrihet marrëveshje për ndërrimin e emrit të Maqedonisë do të ndërrohen edhe dokumentet e identitet të qytetarëve të Maqedonisë.

Këtë e deklaroi ndërmjetësuesi në kontestin për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Niemtz.

“Mendoj se pasaportat janë dokumente ndërkombëtare, ende nuk u jemi përkushtuar të gjitha çështjeve, por do të thosha se pasaportat janë dokumente ndërkombëtare. Nëse ka marrëveshje për modifikimin e emrit do të jetë e zbatueshëm për dokumentet si pasaportat” , deklaroi ndërmjetësi Matthew Niemtz.

Nimetz ka përshtypjen se ekziston ende shqetësim te të dyja palët, nëse tjetra do t’i përmbushë detyrimet e një marrëveshje eventuale. Prandaj kërkoi që të kapërcehet historia e mosbesimit ndërmjet vendeve. Ai po ashtu tha se nuk kishte dëgjuar asgjë nga pala greke që do të thotë mohim i identitetit, shkruan arbresh.info.

E ndaj deklaratave të tij ka reaguar ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias. Ai në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme greke shkruan se Nimetz nuk ka autoritet për të folur cila është politika e Athinës, aq më pak për ta përshkruar atë në mënyrë jokorrekte.
Përveç Nimetz, për kontekstin e emrit Maqedoni foli edhe , eurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn. Ai thotë se pret zgjidhje për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, edhe atë në një të ardhme të afërt.

Sipas tij, zgjidhja e emrit kërkon lidership, jo vetëm për të gjetur zgjidhje, por edhe për të siguruar shumicë të patjetërsueshme dhe kjo paraqet një sfidë për liderët e të dy vendeve. Por rreth deklaratave të Hahn ka reaguar menjëherë edhe Ministria për Punë të Jashtme e Greqisë, ata kanë kërkuar që komisioneri të respektoj të drejtat ndërkombëtare.

“Ftojmë komisarin Hahn të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të mos i shkelë, ndër të tjera edhe detyrimet e vetë BE-së, e në veçanti gjatë një periudhe kritike siç është tani kur zhvillohen negociatat për emrin. Përdorimi i përsëritur i këtyre shprehjeve të papërshtatshme nuk ndihmon procesin e negociatave për emrin, por edhe nuk janë në pajtim me rolin konstruktiv që duhet ta ketë BE-ja”, thuhet në kumtesën e MPJ greke.

Por larg kësaj teme nuk ka mbetur as përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini kërkon nga Maqedonia që të ndërtojë një bashkim kombëtar maksimal për në BE. Sipas saj, qytetarët e Maqedonisë e kanë zgjedhur rrugën e euro integrimeve.

Mogherini deklaron se Maqedoninë e dëshirojnë në BE dhe besojnë se ky është interes evropian dhe dëshirojnë që ky proces të jetë i pakthyeshëm i besueshëm, dhe thotë se në muajt e ardhshëm presin hapa konkret të Maqedonisë.

Maqedonia gjatë këtyre ditëve pati edhe mbështetje nga disa vende të rajonit. Ishte kryetari turk ai i cili i pari i ofroi mbështetje Maqedonisë për çështjen e emrit.

Erdogan ka pohuar se është në anën e Maqedonisë.

“Turqia çdoherë do të jetë në anën e Maqedonisë, pasi që në këtë rast, Greqia, thjesht nuk ka të drejtë”, ka deklaruar Erdogan.

Ai ka shtuar se lidhjet ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë janë vëllazërore dhe Shkupi mund të konsideroj për mbështetje të Ankarasë.

“Ankara dhe Shkupi nuk kanë dallime, dhe çështje të hapura, dhe ne nuk do t’i lëmë vet vëllezërit tanë, por do të jemi gjithmonë së bashku me ata”, ka shtuar Recep Tayyip Erdogan.

Por edhe Serbia ka dëshiruar zgjidhje sa më të shpejtë të kontekstit të emrit të Maqedonisë.

Ambasadorja serbe në Shkup, Dushanka Divjak-Tomiq ka deklaruar se Serbia dëshiron një zgjidhje të çështjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Ajo shpreson se kjo çështje do të merr fund dhe në këtë mënyrë rajoni do të lëvizë drejt shfrytëzimit të mundësisë së ofruar në Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor, pra anëtarësimin në BE, shkruan arbresh.info

Ndërsa sa i përket takimeve në mes të dy shteteve gjatë kësaj jave u fol se me datën 15 dhe 16 shkurt do të realizohen takime në Sofje në mes ministrave Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov.

Në këtë takim pritet që Dimitrov dhe Kotzias të bisedojnë për hapat e radhës në procesin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit. Një takim i këtillë u paralajmërua më herët nga vetë Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Rreth zgjidhjes së emrit të Maqedonisë ka folur edhe lideri shqiptar, Ali Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se Maqedonia është në kërkim të një emri, përmes bisedimeve me Greqinë.

Ahmeti ka theksuar se në Shkup ka një qeveri reformatore, dhe se në kuadër të reformave kërkohet edhe zgjidhja e çështjes 25 vjeçare ndërmjet Shkupit dhe Athinës.

Sipas tij, fqinji verior i Greqisë është pa emër, por ka një emër të përkohshëm, IRJM, por në praktikë synohet të gjendet një emër, përmes bisedimeve.

Por për këtë problem kanë shkruar edhe mediat botërore. “The Washington Post” ka publikuar një kolumne nga bashkë kryesuesi i Këshillit Evropian, Carl Bildt. Ai e konsideron se bota duhet të ketë vëmendjen e saj në krizën rreth çështjes së emrit të Maqedonisë.

Bildt vlerëson se zgjidhja e kësaj çështje do të kërkojë veprim të shpejtë dhe të fuqishëm nga liderët e të dy shteteve, të cilët do të duhet të tejkalojnë një kundërshtim të rëndësishëm dhe të fuqishëm nacionalist në shtetet e tyre. Sipas tij, kryeqytetet si Uashingtoni, Parisi, Berlini e Londra duhej të kishin vëmendjen dhe duhet të bëjnë gjithçka që të arrihet një pajtueshmëri. Në të kundërtën dhe nëse sërish bllokohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, Bildt konsideron se rajoni mund të përfshihet në tensione.

Por sondazhet e publikuara kohët e fundit tregojnë se pothuajse 60 për qind e grekëve kundërshtojnë përdorimin e fjalës “Maqedoni” në emër të ish republikës jugosllave, ndërsa 35 për qind e të anketuarve grekë thonë se nuk do të kishin asgjë kundër emrit të kombinuar në të cilin kjo fjalë do të gjendet./Arbresh.info