Aktuale

Mbi 10 mijë kosovarë kaluan për vikend në Shqipëri

Kosovarët këtë sezon veror kanë qenë besnik të bregdetit shqiptar. Interesimi i qytetarëve që pushimet e tyre t’i kalojnë në Shqipëri ka qenë tejet i lartë. Ani pse ndodhemi në shtator, pushimet e kosovarëve, sidomos vikendeve po vazhdojnë në Shqipëri.

Statistikat e dhëna kohë pas kohe tregojnë se qoftë edhe për pushime të shkurta vikendi, kosovarët në numër të madh kishin përzgjedhur këtë vend.

Vetëm këtë vikend, në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, kanë kaluar kufirin mijëra kosovarë.

Në një përgjigje të Policisë së Kosovës dhënë për FaktePlus thuhet se në kufirin Kosovë-Shqipëri, respektivisht në pikën e kalimit kufitar në Morinë, kanë kaluar me mijëra persona.

Policia ka treguar se ka numëruar gjithsej 10 mijë e 723 persona që kanë dalë nga Kosova, dhe 12 mijë e 125 persona që kanë hyrë në Kosovë.

Tutje nga policia ka treguar edhe sa vetura kanë qarkulluar në këtë pikë kufitare.

Sipas policisë, kanë qenë 3 mijë e 254 vetura që kanë hyrë në Kosovës dhe 4 mijë e 412 të tjera që kanë dalë nga Kosova.

Kurse nëpër pikat kufitare në lindje të vendit kanë hyrë 6 mijë e 766 persona dhe kanë dalë 8 mijë e 115 persona.

Ky regjistrim i autoriteteve të rendit numëron dhe 2 mijë e 850 vetura që kanë hyrë në Kosovë dhe 3 mijë e 125 sosh që kanë dalë.

Po ashtu, edhe në veri të vendit Policia e Kosovës ka numëruar 3 mijë e 357 persona që kanë hyrë, kurse 3 mijë e 408 persona që kanë dalë nga kjo pikë kufitare.

Vlen të theksojmë se pika kufitare më e ngarkuar në sezonin e verës ka qenë ajo e Merdares, pasi aty kalojnë shumica e mërgimtarëve që vijnë për të kaluar pushimet në Kosovë./FaktePlus