Aktuale

Mbi 1500 të huaj kërkojnë azil në Kosovë, ja nga sa euro marrin

Rrugëtimi i atyre që zakonisht kërkojnë azil në Kosovë nis nga vendet e lindjes ose vatrave të krizës për të vazhduar nëpër Turqi, Greqi drejt Shqipërisë e fund për t’u vendosur në Qendrën për Azil në afërsi të Lipjanit, rreth 20 kilometra në jugperëndim të Prishtinës.

Vetëm gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2018, janë evidentuar 294 azilkërkues nga të cilët 179 meshkuj dhe 15 femra.

Zyra për Komunikim Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka thënë për FaktePlus se një azilkërkues për një ditë, buxhetit të Kosovës, mund t’i kushtojë rreth 19-20 euro.

Kurse buxheti vjetor i shtetit të Kosovës për të pritur azilkërkues është 58,753 euro.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, gjatë vitit të kaluar janë bërë gjithsej 1563 kërkesa për leje qëndrimi në Kosovë, nga ky numër janë bërë 1534 kërkesa për leje qëndrim të përkohshëm nga të cilat janë:

883 vendime pozitive, 274 kërkesa në pritje të vendimit, 340 numri i vendimeve pozitive pa caktim të kohëzgjatjes.

Nga numri i vendimeve pozitive për leje qëndrim të përkohshëm janë 797 meshkuj kurse femra janë 737.

Sipas të dhënave nga MPB, përveç Sirisë, kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare kanë kërkuar edhe shtetas të Turqisë, Palestinës, Pakistanit, Irakut, Algjerisë, Afrikës së Jugut, Tunizisë, Maqedonisë, Shqipërisë e disa shteteve të vogla, shkruan FaktePlus.

Gjatë vitit 2018, kjo qendër ka pranuar 50 gra dhe 405 burra. Numri i familjeve ka arritur në 29.

Sipas Ligjit për Azil, mbrojtja ndërkombëtare apo azili u jepet atyre që në vendet e origjinës kanë luftë, persekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, përkatësisë etnike, fetare ose racore.

Azilkërkuesit pranojnë një asistencë sociale prej 50 eurove në muaj për individ dhe 75 euro për familje me mundësi rritjeje deri në 125 euro nëse kanë anëtarë më shumë.

Qendra për Azil në afërsi të Lipjanit u ofron shërbime si akomodimin, veshmbathje, pako higjienike, ushqim, shërbime juridike, shërbime psiko-sociale, kurse të kompjuterëve dhe të gjuhës shqipe./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli