Rajon & Botë

Mbi çfarë bazash mund të fitojë azil Gruevski dhe sa zgjat procedura

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i cili u arratis në Hungari, sipas ligjeve hungareze, mund të kërkojë azil në bazë të dy kushteve – nëse ka status të personit nën mbrojtje apo status të personit të pranuar, ndërsa procedura do të zgjaste deri 90 ditë.
Duke pasur parasysh dispozitat e caktuara ligjore për afatet për zbatimin e tërë procedurës dhe përvojës nga praktika, autoritetet hungareze duhet të deklarohen rreth kërkesës së Gruevskit për azil në afat prej tetë përkatësisht 15 ditëve, ndërsa për realizimin e të drejtave të azilit për 45 deri 90 ditë.

Sipas ligjit hungarez dhe ndërkombëtar në vend, secili i huaj ka të drejtë të kërkojë azil nëse në vendin e tij i është ekspozuar ndjekjes, torturës apo seriozisht i janë cenuar të drejtat e njeriut. Janë caktuar tre baza për marrje të azilit në këtë vend qendror evropian.

Nëse është refugjat (nëse personi e braktisë vendin e vet për shkak të frikës së arsyetueshme nga keqtrajtimi për shkak të përkatësisë së vet racore, religjioze, nacionale, politike apo të një grupi të caktuar social), nëse ka status të personit nën mbrojtje (person, të cilit në vendin e tij i kanoset rreziku real nga dënimi me vdekje, tortura, trajtimi johuman apo degradues apo dënimi me vdekje dhe nëse përballet me kërcënim serioz për jetë për shkak të konfliktit të armatosur). Kushti i tretë është nëse bëhet fjalë për person i cili ka status të personit të pranuar, i cili ka frikë të arsyetueshme nga ndjekja, tortura, trajtimi johuman, degradues apo dënimi me vdekje, por i cili nuk mund t’i gëzojë benefitet e statusit të refugjatit përkatësisht të mbrojtjes së posaçme, për shembull për shkak të aktakuzës për krim serioz.

Mundësinë për të kërkuar azil, ligji ua jep edhe personave të cilët kanë hyrë ilegalisht në tokën hungareze dhe ilegalisht qëndrojnë në vend. Nëse i plotësojnë kushtet për marrje të azilit, statusi i tyre në Hungari do të bëhet legal. Me rëndësi është, në atë rast, menjëherë sapo të kenë hyrë në Hungari, ilegalisht apo me dokumente të rrejshme, t’i drejtohen vullnetarisht shërbimit të emigracionit apo policisë.

Procedura për marrjen e azilit përbëhet prej dy veprave – procedura për miratim të kërkesës për azil pas së cilës mund të fillojë procedura për realizim të së drejtës së azilit. Procedura për miratim të kërkesës për azil zgjatë më së shumti 15 ditë prej datës së parashtrimit të kërkesës. Është e mundur të zgjasë edhe më shumë, ndërkaq nëse kërkesa parashtrohet në aeroport, atëherë shërbimi i emigracionit duhet ta përfundojë procesin e miratimit të saj për tetë ditë. Kërkesa do të refuzohet nëse bëhet fjalë për person qytetar të një vendi anëtar të BE-së, nëse tashmë është pranuar si refugjat apo është me status të refugjatit në një vend tjetër anëtar të BE-së apo sërish e parashtron kërkesën për azil pasi që tashmë njëherë është refuzuar pa cekur argumente të reja.

Nëse shërbimi i emigracionit e refuzon kërkesën për azil, personi ka të drejtë ankese në afat prej tre ditëve. Rreth ankesës vendosë Gjykata Metropoliten në Budapest në afat prej tetë ditësh, por, kjo në praktikë zgjatë më shumë, posaçërisht nëse personi kërkon të dëshmojë në gjykatë. Në realitet procedura për miratim të kërkesës për azil në rast më të mirë duhet të përfundojë për dy javë, ndërkaq mund të zgjasë edhe deri gjashtë muaj.

Nëse kalohet procedura për miratim të kërkesës për azil, pason pjesa e dytë e procedurës, e ajo është procedura për realizim të së drejtës së azilit. Në këtë pjesë të procedurës, shërbimi i emigracionit heton nëse personi i përmbushë kushtet për status të refugjatit, status të personit të pranuar apo status të personit nën mbrojtje. Është paraparë bisedë me nëpunësin e shërbimit të emigracionit, pas çka është e mundur të thirret për bisedë edhe nga Shërbimi për siguri nacionale. Afati për zgjidhje të procedurës për realizim të së drejtës së azilit është 60 ditë, ndërsa ligjërisht mund të vazhdohet edhe për 30 ditë. Shërbimi i emigracionit vendimin e sjellë në afat prej 45 deri 90 ditëve. Pas përfundimit të pjesës së dytë të procedurës për azil, shërbimi i emigracionit mund të sjellë vendim për ndarje të statusit të refugjatit, statusit të personit nën mbrojtje apo njohje të statusit të personit të pranuar, por edhe vendim për refuzim të kërkesës, ndërsa nëse personi “zhduket” gjatë procedurës, atëherë ajo ndërpritet dhe mbyllet.

Lidhur me vendimin e shërbimit të emigracionit personi mund të parashtrojë ankesë në afat prej 15 ditëve.

Nëse personi fiton status të personit nën mbrojtje, kjo zakonisht zgjatë pesë vite, por autoritetet sërish mund ta shqyrtojnë apo ta heqin më herët. Statusi i personit të pranuar është në kohëzgjatje prej një viti, por autoritetet gjithashtu sërish mund ta shqyrtojnë apo ta heqin më herët. Personat të cilët kanë status të refugjatit apo status të personit nën mbrojtje nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vende të tjera anëtare të BE-së. Edhe personat me status të personit të pranuar gjithashtu nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vende të tjera anëtare të BE-së.

Personat të cilët kanë përfituar të drejtën e azilit në të gjitha bazat, mund t’i sjellin anëtarët e familjes së tyre në Hungari.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski pas të cilit është shpallur fletë-arrest ndërkombëtar prë vuajtje të dënimit me burg prej dy viteve për rastin “Tanku”, dje përmes Fejsbukut kumtoi se ka ikur në Hungari dhe se do të kërkojë azil për shkak të “ndjekjes politike”./MIA/

the authorBurbuqe Metolli