Aktuale

Mbrojtja propozon prova në rastin ndaj zyrtarit të Komunës së Pejës, prokurori i kundërshton

Mbrojtja e zyrtarit të Komunës së Pejës, Haki Kartallozi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ka propozuar disa prova që duhet të merren parasysh në gjykimin e këtij rasti.
Këto propozime, mbrojtësi i të akuzuarit Kartallozi, avokati Gëzim Kollçaku, i ka bërë të premten në shqyrtimin e dytë gjyqësor, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, ku klienti i tij akuzohet se e ka dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 30 mijë eurosh.

“Propozoj që të përpilohet ekspertizë e re financiare, ngase në dispozitiv të aktakuzës thuhet se i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin në shumë prej 30.000 euro, në kallëzim penal 11.000 euro, e në shkresat e lëndës nuk është përcaktuar ndonjë shumë dhe ndonjë person i cili ka përfituar”, tha avokati Kollçaku.

Ai ka propozuar që të ekzaminohet kompjuteri i punës i të akuzuarit Kartallozi, të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve, shefi i Teknologjisë Informative, Jeton Abazaj dhe mbikëqyrësi i kompjuterëve në Komunën e Pejës, Labinot Dezderi.

Gjithashtu, ka propozuar që të vërtetohen të gjitha datat dhe kohën që dyshohet se i akuzuari Haki Kartallozi, ka ndërhyrë në programin e tatimit në pronë, raporton Betimiperdrejtesi.com

“Të sigurohen të gjitha provat se a ka qenë Hakiu në zyrë, si dhe nga serveri i kompjuterit të vërtetohet se në atë kohë a ka qenë i ndezur kompjuteri”, tha ai.

Prokurori i çështjes, Haxhi Sinanaj ka deklaruar se pajtohet me propozimin e mbrojtjes që të precizohet saktë dëmi i shkaktuar për Komunën e Pejës, ndërsa provat e tjera të propozuara i ka kundërshtuar me arsyetimin se ndaj të njëjtave ka raporte të përpiluara.

“E kundërshtoj propozimin e ekzaminimit të kompjuterit të të akuzuarit, pasi që një gjë e tillë është bërë nga Forenzika në Prishtinë. E kundërshtoj propozimin për dëgjimin e dëshmitarit përgjegjës për tatimin në pronë, pasi një gjë e tillë është bërë nga Ministria e Financave, e gjithashtu i kundërshtoj edhe propozimet e tjera pasi që për të njëjtat kemi raporte në shkresat e lëndës”, tha prokuroi.

Gjykatësja Lumturije Muhaxheri, ka konstatuar se lidhur me këto propozime do të vendosë jashtë seancës, dhe pasi aktvendimi të bëhet i plotëfuqishëm, palët do të njoftohen për datën e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor.

Me 8 shkurt 2018, i akuzuari në shqyrtimin fillestar, ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën e ngarkuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haki Kartallozi, prej 14 korrikut 2016, e në vazhdimësi deri më 18 tetor të atij viti, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, si person përgjegjës për komunitete në Komunën e Pejës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet ligjore.

Sipas aktakuzës, Kartallozi, përmes disa programeve kompjuterike është futur në fjalëkalimet e zyrtarit për komunitete Gani Toska dhe zyrtares për tatim në pronë Makfirete Limani dhe nga sistemet e tyre kompjuterike ka arritur që të shlyej obligimet tatimore të dëshmitarit Besim Gashi dhe disa tatimpaguesve të tjerë, duke përfituar për vete në mënyrë të kundërligjshme.

Ai akuzohet se buxhetit të Komunës së Pejës i ka shkaktuar dëme në shumën prej 30.000 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par 1 të KPRK-së.