Arsim & Kulturë

Me një aktivitet për gratë në biznes, në Kolegjin AAB shënohet Java Globale e Ndërrmarrësisë

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë, sot në Kolegjin AAB u mbajt një panel diskutimi me temën “Sfidat dhe sukseset e grave ndërmarrëse në Kosovë”. Në këtë panel, u tha se përqindja e grave në biznes është shumë e vogël.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e shoqatës së grave, OJQ “Laddy”, Sanija Murati tregoi për projektet të cilat si qëllim kryesor kanë përfshirjen e grave të fshatrave në ekonomi.

“Unë jam këtu dhe e di mentalitetin por kush do ta ndryshojë këtë mentalitet, e ndryshojmë ne vetë.Deri tani në biznese në Kosovë, fatkeqësisht janë, vetëm 11 përqind e grave të përfshira”, u shpreh Murati.
Gjithashtu, Sanija Murati , këshilloi femrat se nuk duhet t’i dëgjojnë paragjykimet, pasi që femrat i sheh si të forta dhe se mund të arrijnë sukses në Kosovë,po aq sa një mashkull.

Ndërsa, Dorina Lluka, ish-studente në Kolegjin AAB, drejtoreshë në organizatën për të rinjtë “YMCA”, tregoi për sfidat që i ka kaluar si udhëheqëse e një organizate dhe vështirësitë që ka hasur.
Ajo, tregoi për përvojën e saj me njerëzit që kanë pasur vetëm interes pwrsonal si dhe për etikën si parim.

“Në punë parimi është etika, problem më të madh unë e kam pasur me njerëz të cilët, kanë qenë si individë të cilët nuk kanë pasur integritet profesional që janë munduar vetëm për interesin e vetë, nuk mund të jesh një ekonomist i mirëfilltë, nëse nuk e kupton interesin social”, u shpreh Dorina Lluka.
Ardiana Balaj, nga kompania “Login”, tregoi për evoluimin e teknologjisë si dhe Kosovën e sheh të përparuar, sa i përket teknologjisë, pasi që është rritur vetëdija e qytetarëve.

Ka sfida të mëdha në këtë lëmi, në Kosovë. Në fillim kemi pasur problem në gjetjen e programerëve dhe është dashur të punojmë me programerë jashtë Kosovës. Por, tani, falë shkollimit kemi arritur që të kemi bashkëpunime në Kosovë, si dhe tash jemi në kontakte edhe me kompani jashtë Kosovës, ku programerët tanë krijojnë programe e aplikacione të cilat i shesim edhe në vende të tjera të botës”, u shpreh Ardiana Balaj.

Në këtë panel diskutimi, pjesë e saj ishte edhe ndërmarrësja në “KultPlus”, Ardiane Pajaziti, e cila përshëndeti Kolegjin AAB për këtë organizim dhe ajo tregoi për sfidat që ka hasur në këtë gazetë online, por edhe sukseset e këtij mediumi, si i vetmi i specializuar për të përcjellur kulturën.