Sport

Mediat braziliane e gozhdojnë Neymarin pas ndeshjes ndaj Zvicrës

Neymar ka marrë kritika të ashpra në mediat në vendin e tij Brazil, pas një paraqitjeje tejet të dobët në ndeshjen hapëse të Brazilit kundër Zvicrës, e cila u mbyll pa fitues 1-1.
Philippe Coutinho e kaloi Brazilin në epërsi, i cili megjithatë nuk ia doli të ruante atë pasi zviceranët reaguan shpejt duke e barazuar rezultatin, derisa Neymar nuk arriti të ketë kurrfarë ndikimi, transmeton Gazeta Express.

“Neymar ishte katastrofë”, tha Arnaldo Riberior nga ESPN Brazil.

“Ai nuk pati ndeshje të pranueshme dhe është dashur të zëvendësohej. Brazili ka skuadër të mirë dhe cilësi kolektive për ta nxjerrë veten nga telashet, por Neymar tentoi ta fitonte ndeshjen vetë dhe dështoi”, shtoi ai.

Mendimin e njëjtë me Riberion e ndau edhe ish-ylli brazilian Ze Elias.

“Ai ishte vetjak në fushë dhe për këtë arsyeje u faullua shumë herë, por nuk mendoj se e bënë qëllimshëm ndaj tij. Problemi është se Neymar harroi të luante si ekip dhe e mbajti topin”, shpjegoi ai.

Osvaldo Pascoal nga Fox Sport Brazil nuk u përmbajt me kritika ndaj Neymarit, duke thënë: “Mënyra se si luajti ai është futboll vulgar, e pabesueshme sesi Tite nuk i dha as një minutë Douglas Coustas”.

Ndërsa, Thiago Nogeira nga Tempo Brasil, tha: “Neymari bëri shumë pak, më pak se që pritej, dhe ishte arsyeja pse Brazili s’e mposhti Zvicrën.” /Gazeta Express/

the authorE B