Aktuale

Mërgimitarit nga Zvicra i duhet t’i kalojë në hotel pushimet, pasi në shtëpi i ndodhë kjo

Familja Isufi nga Livoqi i Epërm i Gjilanit, po rrezikohet nga tensioni i lartë i energjisë elektrike.
Isen Isufi nga fshati Livoq i Epërm, në komunën e Gjilanit, ka tetë vite që është në hall me shtyllat e e tensionit të lartë.

Këto shtylla janë të vendosura në oborrin e familjes Iseni, pa lejen e tyre.

“Pasi kemi filluar ndërtimin e shtëpisë, kanë ardhur dhe na kanë thënë se po vendosim shtyllën. Asnjë një letër nuk na kanë dërgua, asnjë njoftim që këtu do të vendoset një largpërçues të rrymës”, shprehet për RTV Dukagjinin Isen Isufi – pronar i tokës.

Iseni i cili jeton ne Zvicër, krejt këtë investim që e ka bërë në fshatin e tij, por nuk po arrin ta gëzoj.

Fëmijët, ai nuk guxon t’i sjellë në shtëpinë e tij, gjatë kohës së pushimeve.

“Unë rri te miqtë me fëmijë në Suharekë. Ndonjëherë kur vij në Kosovë, shkoj në hotel ose diku tjetër, dhe nuk kam tentuar me investua më shumë në këtë shtëpi për ta bërë të banueshme”, thotë me tej Isufi.

Deri sa ishin vendosur këto shtylla në oborrin e tyre kishte qëndruar edhe policia.

Në një video që ka siguruar televizioni nga familjarët, shihet se policia ishte stacionuar në oborrin e shtëpisë, edhe kur ajo ishte në ndërtim e sipër.

Se ka rrezik për jetë nga tensioni i lartë i energjisë elektrike, e tregon edhe shenja paralajmëruese e vendosur në të.

RTV Dukagjini, për një kohë të gjatë, ka pritur përgjigje nga ana e KEDS-it, por këta të fundit, nuk u përgjigjen.

E për këtë problem, pronari Isufi i është drejtuar Gjykatës së Apelit, ndërsa kjo e fundit e ka pranuar lëndën vitin e kaluar.

“Lënda është caktuar te gjyqtari dhe pret radhën e përfundimit, por sa për informate kemi shumë lëndë dhe në rend për zgjidhje i kemi lëndët e vitit 2014”, thuhet në përgjigjen e Apelit.