Aktuale

Merkel dhe Macron e ftojnë Thaçin në Berlin

Zyra e Presidentit të Kosovës e ka konfirmuar se Hashim Thaçi, do të udhëtojë në Berlin më 29 prill.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Zyra e presidentit Thaçi.

“Po, presidenti Thaçi ka marrë ftesë nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron për të marrë pjesë në samitin që mbahet në Berlin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të presidentit Thaçi.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli