Rajon & Botë

BE merr çmimin spanjoll “Princesha e Asturias”

Bashkimi Evropian (BE) mori sot çmimin “Princesha e Asturias së Konkordës”, për modelin unik të integrimit mbikombëtar. Ky çmim konsiderohet si Nobeli i botës hispanike.

“Bashkimi Evropian ka mundësuar periudhën më të gjatë të paqes të Evropës moderne dhe ka shpërndarë në botë vlera si liria, të drejtat e njeriut dhe solidariteti”, nënvizoi presidenti i jurisë, Javier Fernandez.

“Është një nder të marr çmimin Princesha e Asturias së Konkordës. Një mirënjohje për 60 vite paqe, demokraci dhe prosperitet të BE-së”, theksoi në një mesazh në rrjetin social Twitter, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian.

Çmimi u dha me rastin e 60-vjetorit të Traktatit të Romës, që vendosi bazat e asaj që do të bëhej Bashkimi Evropian dhe pesë vjet pas dhënies së çmimit Nobel për Paqe për BE-në.

“Sot BE po kalon momente konfuzioni, është mirë që ne të njohim ato që ajo ka bërë për të rimarrë forcat dhe për të dhënë përgjigje për të ardhmen”, theksoi ministri spanjoll i Kulturës, Inigo Mendez de Vigo.