Aktuale

Mësohet edhe sa vota i duhen Nismës për të kaluar pragun

Në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tanimë janë publikuar rezultatet e numërimit të votave 100 për qind.

Nga numërimi i votave, pa përfshirë ato me kusht, nga diaspora dhe personave me nevoja të veçanta, koalicioni Nisma-AKR-PD, ka rritur të marrë 39 mijë e 495 vota apo në përqindje i bie 4.96 %, shkruan FaktePlus.

Por, pavarësisht këtij rezultati Nisma Socialdemokrate është e sigurt që do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme, duke shpresuar në votat e diasporës dhe ato me kusht.

Zyrtarë të Nismës në kushte anonimiteti i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se për ta kaluar pragun për t’u bërë pjesë e Kuvendit u nevojiten vetëm edhe 300 vota.

Ata kanë thënë se janë të sigurt sepse sipas tyre votat nga diaspora dhe me kusht do të jenë më shumë se 300.

Sipas tyre me votat me kusht dhe me ato të diasporës kalimi i pragut nuk është problem, shkruan FaktePlus.

Zyrtarët e kësaj partie dyshojnë se ka pasur manipulime të votave në Prizren, Drenas e në disa qendra të tjera dhe se për këtë kanë kërkuar rinumërim të tyre.

E për gjithë këto ankesa Nisma ka paraqitur ankesë në PZAP, ku ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi.

Pas refuzimit të ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, koalicioni NISMA-AKR i është drejtuar Gjykatës Supreme për rinumërim të votave.

Zyrtarë nga Nisma Socialdemokrate kanë thënë se sot do të paraqesin ankesën në Gjykatën Supreme dhe presin që Gjykata të vendosë në favor të tyre.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 202 mijë e 968 vota, apo 25,48 për qind.

E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës, me 197 mijë e 702 vota, apo 24,82 për qind.

Ndërsa, në vendin e tretë është Partia Demokratike e Kosovës me 169 mijë e 211 vota apo 21,24 për qind.

Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës, kanë arritur të marrin 92 mijë e 149 vota apo 11,57 për qind, që i ka renditur ata në vendin e katërt.

Ende nuk dihet sa vota janë me kusht, sa kanë ardhur nga diaspora dhe sa janë të atyre me nevoja të veçanta./FaktePlus