Aktuale

Meta në Mal të Zi kërkon zgjidhje për simbolet dhe gjuhën shqipe

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka vizituar Malin e Zi, ku ka kërkuar gjetjen e zgjidhjeve konkrete të disa kërkesave të pakicës shqiptare në këtë shtet që lidhen me decentralizimin e pushtetit lokal në Tuz, me shfrytëzimin e resurseve natyrore për nevojat buxhetore të komunave lokale, si dhe të çështjeve që lidhen me përdorimin e simboleve kombëtare dhe gjuhës amtare shqipe.

Ai është pritur sot në Podgoricë nga presidenti i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajovic. Ky i fundit shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e tij në Tiranë në seancën parlamentare të ratifikimit të protokollit të aderimit të Malit të Zi në Traktatin e Atlantikut Verior nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 qershor, ndërkohë që Meta vlerësoi instalimin e sistemit të përkthimit simultan të gjuhëve shqipe e malazeze në Parlamentin e Malit të Zi si një shenjë e qartë e vëmendjes që autoritetet malazeze tregojnë ndaj pakicës nacionale autentike shqiptare në vendin fqinj.

Meta u shpreh se Shqipëria i mbështet kërkesat legjitime të pakicës shqiptare që forcojnë më tej demokracinë e Malit të Zi dhe njëkohësisht theksoi se Kuvendi i Shqipërisë është i ndjeshëm për sa i përket të drejtave e kërkesave të pakicës malazeze në Shqipëri.

Në këtë kuadër, Meta shprehu angazhimin e tij për të mirëpritur në Kuvend një përfaqësi të kësaj pakice me vullnetin e sinqertë për t’iu përgjigjur objektivisht kërkesave e nevojave të tyre, sipas standardeve bashkëkohore evropiane.

Sipas një komunikate të Kuvendit të Shqipërisë, Meta dhe Pajovic vlerësuan gjithashtu edhe pasuritë e përbashkëta natyrore dhe theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta ndërkufitare në mbrojtje të mjedisit dhe në mbështetje të zhvillimit të paketave eko-turistike të përbashkëta.

Pas takimit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në Parlamentin e Malit të Zi ku i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier./KosovaPress/