Sport

Milani ia kërkon PSG-së 50 milionë euro për Donnarumman

Paris Saint-Germaini i është kthyer garës për transferimin e portierit italian, Gianluigi Donnarumma, por raportohet se Milani i do të paktën 50 milionë euro për ta shitur atë, e pastaj për t’i investuar ato në transferimin e Angel Correas.

Portieri italian ka qenë në listën e të kërkuarve nga Paris Saint-Germaini që një kohë të gjatë, edhe para se drejtori Leonardo të kthehej në Paris nga puna e tij në San Siro.

Me transferimin e Kevin Trappit në Eintracht Frankfurt, spekulimet se kampioni i Ligue 1 i ka rifilluar tentimet për ta transferuar Donnarumman janë kthyer te mediat italiane.

Megjithatë, La Gazzetta dello Sport thekson se Milani nuk do ta pranojë ofertën e PSG-së për ta shkëmbyer Donnarumman me Alphonse Areolan si pjesë të shkëmbimit, një marrëveshje që veçse ishte refuzuar muajin e kaluar.

Kuqezinjtë janë vetëm duke u përgatitur për ta shitur Donnarumman vetëm nëse i vjen ofertë prej të paktën 50 milionë eurosh.

Kjo do t’i lejonte ata t’i investojnë paratë për sulmuesin Angel Correa, për të cilin Atletico Madridi po vazhdon t’i kërkojë 55 milionë euro. Deri më tani, Milani e ka bërë ofertën më të madhe në vlerë prej 40 milionë eurove.