Aktuale

Ministri i Brendshëm akuzon opozitën dhe disa deputetë të pozitës për dështimin e vizave

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se deputetët e opozitës dhe një pjesë e pozitës kanë fajin kryesor pse s’ka liberalizim të vizave për Kosovën.

Sipas tij, dështimi më i madh është mosliberlaizimi i vizave si pasojë e opozitës dhe disave të pozitës.

“Të arriturat gjatë vitit që po lëmë pas janë mbreslënëse, por duhet theksuar poashtu se dështimi për të siguruar lëvizje pa viza në Zonën Schengen për qytetarët e Kosovës është për keqardhje. Politizimi dhe refuzimi i ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Republikës do të regjistrohet si dështimi më i madh i vitit që po lëmë pas. Prandaj, lidhur me këtë, nuk ka si të mos thuhet se shkalla e alarmante e papërgjegjësisë dhe indiferencës karshi interesave të qytetarëve të Kosovës te deputetët e opozitës, e sidomos te një numër i deputetëve të pozitës është e pajustifikueshme dhe politikisht e pafalshme”, ka shkruar Hyseni, në Fb, në urimin e fundvitit.