Aktuale

Ministri Hasani: Nuk do të ketë ngritje të çmimit të bukës

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ka kërkuar sot nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë përse nuk kanë marrë masa doganore edhe ndaj importit të grurit nga Serbia, si dhe kërkuan garanci se nuk do të ketë ngritje të çmimit të bukës me vendimin e fundit për masat prej 4 cent për miellin që importohet nga Serbia.

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Hykmete Bajrami, tha se është e pa pranueshme që Ministria e Inovacionit ka një buxhet mbi 10 milionë euro dhe do të merret vetëm me ‘startup’, ndërkohë që Agjencia për Promovimin e Investimeve të Huaja (KIESA) ka buxhet 3 milionë euro dhe prej 154 mijë ndërmarrjeve të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, 103 mijë prej tyre janë tatimpagues.

“Ma dokumentoni që të njëjtën masë mundeni me zbatuar te gruri dhe ma dokumentoni dhe më garantoni se nuk do të ketë ngritje të çmimit të bukës, sepse edhe unë njëjtë mendoj që politikat tregtare, stimulimi i prodhimit vendor është po aq i rëndësishëm sa mirëqenia e qytetarëve tonë, e buka është një produkt për të cilin konsumatori është i ndjeshëm ndaj çmimit. Po ashtu është e pa pranueshme që Ministria e Inovacionit ka një buxhet mbi 10 milionë euro dhe do të merret vetëm me ‘startup’, ndërkohë që KIESA ka buxhetin 3 milionë euro dhe janë sot prej 154 mijë ndërmarrjeve që janë të regjistruara në ARBK, 103 mijë prej tyre janë tatimpagues”, theksoi Bajrami.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka garantuar se nuk do të ketë ngritje të çmimit të miellit dhe bukës me vendimin për masat prej katër cent ndaj importit të miellit nga Serbia.

Ai theksoi se po të kishte masa doganore edhe për grurin e importuar nga Serbia do të kishte ngritje të çmimit të bukës dhe se për masat ndaj miellit ka pasur reagime nga autoritetet serbe dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, që sipas tij, ndoshta po i prek në xhep.

“Me ligjin Antidamping lejohet të merret një masë e tillë, kemi marrë një çmim minimal prej katër cent, natyrisht se para se me vendos kemi ftuar shoqatën e mullisëve dhe kemi kërkuar zotim prej tyre se nuk do të ketë ngritje të çmimit. Në vendim e kam lënë një mundësi që kjo çështje të ndiqet sa i përket lëvizjes të çmimit. Natyrisht që nuk guxojmë të marrim masë edhe ndaj grurit për shkak se mund të rritet çmimi i bukës. Përveç që na ka reaguar ministri serb, kemi pasur edhe deputet të Kuvendit të Kosovës që kanë reaguar për këtë masë(për miellin), dikujt ndoshta po i prek në xhep, mirëpo ne jemi të vendosur që t’i marrim të gjitha veprimet që mbështet prodhimin vendor dhe që është në interes të vendit”, theksoi Hasani.

Sa i përket CEFTA, ai tha se Kosova duhet të paraqitet si shtet në CEFTA dhe jo në emër të UNMK, dhe do të shqyrtojnë pozicionin për këtë çështje në takimin ndërministror që do të mbahet në Beograd, më 23 nëntor.

“Sa i përket CEFTA-sa ne me datën 23 nëntor, e kemi një takim në Beograd në nivel ministrash. Unë kam kërkuar publikisht që të heq dorë UNMIK-u nga preambula, ngase ajo marrëveshje është nënshkruar më 2006, dhe kërkoj prapë nga Bashkimi Evropian dhe nga Zyra e BE-së që të bëjnë presion, sepse ajo është rruga më e mirë që të heq dorë dhe të përfaqësohemi ne si shtet aty. Ne i dimë edhe pengesat politike dhe kam marrë përkrahje edhe nga kryeministri që ta bëjmë një hap më tutje. Dhe nuk është ajo që të tërhiqemi nga CEFTA, kemi thënë publikisht se do ta shqyrtojmë pozicionin tonë për shkak se ato vende, të cilat nuk po na njohin ose nuk donë bashkëpunim”, theksoi ministri Hasani.

Ai gjatë raportimit në Komision ka thënë se prioritet i MTI-së është përkrahja e bizneseve dhe ndërmarrjeve për zhvillimin e tyre.

Hasani tha se prioritet i kësaj ministrie është edhe promovimi dhe nxitja e investimeve të huaja dhe nga diaspora, si dhe përmirësimi i tregut.

Po ashtu sipas tij, ndër prioritet e MTI-së, janë edhe mbrojtja e konsumatorëve dhe përmirësimi i të bërit biznes në Kosovë, ngase, sipas ministrit Hasani, avancimi i tregut dhe mbrojta e produkteve vendore gjithmonë ka për qëllim zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Edhe anëtarja e komisionit Mimoza Kusari-Lila ngriti shqetësimin e formimit të dy ministrive të reja dhe sipas aj, është krijuar sistem paralel brenda qeverisë për investime strategjike.

Ministri Hasani duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij Komisioni, theksoi se shumë shpejt do të jetësohet Ligji për Investime Strategjike dhe sipas tij, të gjitha funksionet për investime të huaja mbesin te KIESA dhe nuk ka bartje të kompetencave te Ministria e Diasporës dhe Inovacionit. /kp