Rajon & Botë

Ministri izraelit – hebrenjve: Nëse dëshironi të mbeteni hebrenj, largohuni nga Franca dhe kthehuni në Izrael

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Avigdor Lieberman, u ka bërë thirrje hebrenjve që jetojnë në Francë që të largohen nga ky vend dhe të rikthehen në Izrael, duke e kritikuar samitin e paqes për Lindjen e Mesme, që është planifikuar të mbahet në Francë.

 

Lieberman e ka quajtur këtë samit “një tribunal kundër shtetit të Izraelit” dhe ka thënë se hebrenjtë në Francë duhet të kthehen në Izrael, nëse dëshirojnë të mbesin hebrenj, transmeton Express.

Ky samit, që për qëllim ka t’i ulë palestinezët dhe izraelitët rreth tavolinës për të negociuar paqen, do të mbahet më 15 janar 2017.

“Qëllimi i vetëm i këtij samiti është që ta minojë sigurinë në Izrael dhe ta nxijë emrin e mirë që mban Izraeli,” ka thënë ai.

“Mbase është kohë t’i themi njerëzve hebrenj në Francë se ky nuk është vendi juaj, as toka juaj. Largohuni nga Franca dhe ejani në Izrael,” ka shtuar ai.