Aktuale

Ministri Krasniqi priti Sekretarin për Bujqësi të Iowa-s, Bill Northey

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim, Sekretarin për Bujqësi të shtetit të Iowa-s, Bill Northey. Ministri Krasniqi e informoi sekretarin Northey me të arriturat e deritanishme në bujqësi por edhe më sfidat që vendi ynë ka në këtë sektor.

Ai theksoi progresin e madh që është bërë në vitet e fundit në rritjen e prodhimtarisë bujqësore dhe zëvendësimin gradual të importit. Gjithsesi, shtoi ministri, mbetet ende shumë punë, që për shumë produkte që mund të prodhohen në Kosovë, të arrihet të plotësohen nevojat e konsumit.

Ministri theksoi se sektorët potencialë në Kosovë janë pemët, perimet, rrushi, bimët mjekuese dhe aromatike si dhe qumështi dhe mishi.

Ai po ashtu e informoi sekretarin Northey me rritjen e eksportit të produkteve bujqësore dhe me një interesim të shtuar të investitorëve të huaj për të investuar në bujqësi në Kosovë.

Sfidat kryesore, tha ministri Krasniqi, mbesin mungesa e një sistemi të ujitjes së tokave bujqësore, infrastruktura rurale dhe sipërfaqet e vogla të fermave.

Nga ana e tij, sekretari Northey theksoi nevojën që Kosova të investojë në bujqësi, si një sektor potencial për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. E rëndësishme, në radhë të parë, tha ai, është që produktet nga Kosova të gjejnë treg tek konsumatori vendor, sepse kështu forcohen agro-bizneset.

Sekretari Northey do të vazhdojë edhe për dy ditë vizitën në Kosovë. Bashkë më ministrin Krasniqi ata do të vizitojnë disa ferma dhe agrobiznese në vend.