Arsim & Kulturë

Ministri Kujtim Shala vizitoi Ulqinin

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar Komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Nazif Cungun dhe bashkëpunëtorët e tij.

Siç njofton Ministria e Kulturës, ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Cungu, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve në Mal të Zi, me theks të veçantë në Ulqin, transmeton KosovaPress.

Në këtë takim, ministri Shala dhe kryetari Cungu u shprehën se intensifikim i këtij bashkëpunimi është në dobi të kulturës shqiptare dhe veçmas në funksion të ndihmës për shqiptarët në këtë vend.

Ministri Shala drejtuesve të Komunës së Ulqinit iu premtoi përkrahje konkrete në fushën e kulturës, duke u shprehur se komunikimi kulturor është tejet i rëndësishëm për shqiptarët e Malit të Zi.

Më tej, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja së shpejti pritet së shpejti të nënshkruajë një marrëveshje kulturore me Malin e Zi, që është një akt i rëndësishëm politik, i cili i rregullon marrëdhëniet kulturore mes këtyre dy shteteve, dhe njëkohësisht hap rrugë për bashkëpunim konkret ndërmjet dy vendeve, dhe po ashtu ndihmon për bashkëpunim kulturor ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve të Malit të ZI.

Po ashtu, ministri Shala dhe kryetari Cungu biseduan për idenë e organizmi të Javës së Kulturës së Kosovës në Ulqin, gjatë sezones turistike.

Në kuadër të kësaj vizite në Ulqin, ministri Shala dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”,  Fazli Gajraku, i dhuruan Bibliotekës së Ulqinit afro 800 libra, të cilat kapin një vlerë prej rreth 6 mijë eurosh.

Kryetari i Ulqinit dhe drejtuesit e Bibliotekës e falënderuan ministrin Shala dhe drejtorin Gajraku për këtë akt dhe u shprehën se kjo ndihmë konkrete është në dobi të shqiptarëve të Ulqinit dhe njëkohësisht dëshmi e vullnetit të mirë të institucioneve të kulturës së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi./KosovaPress/