Aktuale

Ministri Rasim Lajiq thotë se Serbia ka humbur 228 milionë euro nga taksa

Serbia humb një milion euro në ditë për shkak të taksës doganore të Prishtinës për mallrat me origjinë serbe, ndërsa që nga vendosja e saj e deri më 24 qershor kjo shumë ka arritur në rreth 228 milionë euro.

Kështu deklaroi sot ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq.

Ai i deklaroi TV Prva të Beogradit se kjo humbje mund të jetë edhe më e madhe, sepse ekziston mundësia që Serbia të zhduket përgjithmonë nga tregu i Kosovës.

Pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Kosova ndaj mallrave serbe, vendet fqinje kanë hyrë në tregun kosovar dhe është pyetje e madhe nëse, po ta heqë nesër Kosova këtë masë, biznesmenët tanë, që janë 2.600, do të mund të ktheheshin në këtë treg, citon FoNet deklaratën e Lajiqit në TV Prva.

Ai ka thënë po ashtu se Serbia i ka gati “në tavolinë” kundërmasat, kurse Qeveria “po i matë mirë” para se të marrë vendimin përfundimtar për zbatimin e tyre, transmeton Koha.net. /FaktePlus