Ministri i ri i Arsimit ka për prioritet ngritjen e cilësisë në arsim

Ministri i ri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është zotuar se gjatë mandatit të tij do të punojë që sektori i arsimit të marrë një rrugë të mirë dhe të mbarë.

Ai këto komente i bëri me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës së ministrit të Arsimit nga ministri i deritanishëm Arsim Bajrami.

Ministri i deritanishëm Arsim Bajrami shpreson se Qeveria e re do ta ketë në prioritet kombëtar arsimin në Kosovë. Ai tha se në këto tri vite ka pasur investime dhe të arritura të mëdha në fushën e arsimit, mirëpo pranoi se gjendja arsimit nuk është e kënaqshme.

Bajrami njoftoi pasardhësin e tij se ka krijuar partneritet me shumë universitete nga Amerika. Ai porositi që të punohet shumë në cilësinë e arsimit, duke përmendur rezultatet e testit Pisa.

Në këto tri vjet punës së tij si ministër, ai tha se kanë punuar me përkushtim të madh për ta stabilizuar sistemin arsimor. Sipas tij, gjendja në arsim ka shumë probleme dhe telashe, mirëpo Bajrami tha se si e arritur mjaft e madhe është fillimi i implementimit të kurrikulës së re në të gjitha shkollat para universitare, si e arritur e dytë është hartimi i planit strategjik dhe planin e veprimit të arsimit 2017-2021, shtylla e tretë kanë miratuar strategjinë për sigurimin e cilësisë në arsim.

“Sot kur po e dorëzoj detyrën po e pranoj se cilësia e arsimit akoma është e ulët dhe nuk është e nivelit të dëshiruar. E keni një rast të rrallë kur një ministër bëhet i sinqertë dhe thotë se po e dorëzon detyrën dhe thotë se cilësia në arsim është e ulët. Mirëpo, në këto tri vjet e kemi ndal rrënimin e sistemit arsimor dhe kemi filluar me stabilizuar sistemin arsimor. Jemi larg asaj që dëshirojmë të jemi, por procesi ka filluar. Jam shumë optimist se ministri i ri dhe qeveria e re do të mund ta përmirësoj gjendjen në arsim, e cila është gjëja më e shenjt pas pavarësisë së Kosovës”, tha Bajrami.

Ministri i ri Shyqiri Bytyqi u shpreh se është një nder i jashtëzakonshëm të pranohet një detyrë kaq e rëndësishme, por tha se është i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në arsim. Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë që arsimi ta merr një rrugë të mirë dhe mbarë.

“Janë bërë punë shumë të mira për arsimin viteve të kaluara dhe në periudhën që ju e keni menaxhuar arsimin. Andaj, jemi të vetëdijshëm për suksesin e arritur, megjithatë, jemi shumë të vetëdijshëm që ka edhe një mal problemesh, të cilat kërkojnë zgjidhje. Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësinë që jemi duke e marrë. Ne do të vazhdojmë punën që ju e keni bërë deri tani, sukseset që kanë ekzistuar t’i vazhdojmë, problemet që ekzistojnë t’i gjejmë zgjidhje që arsimi në Kosovë të merr një rrugë ashtu çfarë i duhet vendit tonë”, tha Bytyqi.

Prioritetet në mandatin e tij, Bytyqi tha se do të jenë respektimi i legjislacionit në çdo nivel, si dhe të ngritët cilësia e arsimit.

“Ne e shohim të domosdoshëm respektimin e plotë të legjislacionit në çdo nivel të arsimit. Prioritet të dytë kemi që arsimi të vihet në funksion të zhvillimit të vendit. Dhe një rëndësi të jashtëzakonshme do t’i kushtojmë cilësisë së arsimit dhe kontrollit të cilësisë, andaj, janë elemente që ne do ti bashkërendisim dhe do t’i qojmë përpara. Këto, janë pikët e përgjithshme të për prioriteteve tona”, tha Bytyqi.

Ministri i ri i Arsimit, me profesion ekonomist, tha se presin rezultate më të mira në rangimin Pisa. /kp