Aktuale

Mitrovicë: Të burgosurit e “Alkatraz”-it vazhdojnë grevën e urisë

Rreth 40 të burgosur serbë në burgun e veriut të Mitrovicës janë duke vazhduar grevën e urisë të cilën e kanë filluar para katër ditësh, për shkak të transferimit të katër burgosurve nga ky brug, në burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc afër Podujevës.

Ata përveç kthimit të këtyre të burgosurve, kërkojnë edhe garanci se nuk do të transferohen në ndonjërin prej burgjeve të Kosovës ku nuk ka të burgosur serbë, dhe pjesëtarë të personelit nga ky komunitet.

Në shenjë solidariteti me të burgosurit tjerë, grevës së urisë nga e hëna i është bashkëngjitur edhe Oliver Ivanoviq, i dënuar më 9 vjet burgim për shkak të krimeve ndaj popullatës civile në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq. Sipas tij, klienti i tij edhe pse nuk është prekur drejtpërdrejtëme ngjarjen, ka dashur që të solidarizohet me të tjerët, sepse siç tha ai, Ivanoviq më së miri e di dhe e ka provuar si është të qëndrosh në burg ku nuk ke mundësi të flasësh gjuhën amtare, dhe ditët t’i kaloni nën ndjenjën e frikës.

“ Objekti afër Podujevës është burg dhe jo qendër e paraburgimit, ndërsa të transferuarit janë të paraburgosur e jo të burgosur”, ka thënë Vllajiq. Ndryshe, burgu në veri të Mitrovicës i njohur si “Alkatraz”, është ndërtuar në vitin 1967 dhe shquhet për sigurinë gati më të madhe në Evropë. /KP