Aktuale

MMPH dhe UN-HABITAT ndihmojnë komunat e Kosovës

MMPH dhe UN- HABITAT ndihmojnë komunat e Kosovës në hartimim e dokumenteve të planifikimit hapësinor.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me përkrahjen e Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, implementuar nga UN-HABITAT, në partneritet me PAX dhe CBM, financuar nga Qeveria Suedeze, ka mbajtur punëtorinë e vizionimit dhe planifikimit urban për komunat: Zubin Potok, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Leposaviq, e cila po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, njofton kumtesa.

Me qëllim të shkëmbimit të përvojave në hartimin e dokumenteve të planifikimit urban, pjesëmarrëse në cilësinë e mysafirëve ishin edhe komuna e Kamenicës dhe Graçanicës.

Siç njofton kumtesa, në hapje të kësaj punëtorie, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitaku, së bashku me ekipin e MMPH-së, Leutrim Sahiti, Këshilltar Politik dhe Servet Spahiu, Drejtor i DPHBN, në emër të ministrit, Fatmir Matoshi falendëroi UN-Habitat-in për përkrahjen që po i japin komunave të Kosovës në hartimin e dokumenteve të planifikimit hapësinor në nivel komunal dhe u shpreh që MMPH do të mbeshtesë çdo herë komunat e Kosovës në këtë fushë dhe në fusha tjera që mbulon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Drejtorja e UN-HABITAT-it në Kosovë, Gwendoline Mennetrier, theksoi se kjo punëtori ndihmon komunat tona partnere të gjenerojnë ide inovative dhe konstruktive, në drejtim të zhvillimit të planeve të tyre komunale të komunave respektive. Ajo vlerësoi që kjo punëtori është një hap qenësor në rritjen efikase të ofrimit të sherbimeve për qytetarët e komunave respektive si dhe në forcimin e bashkëpunimit nderkomunal dhe nderinstitucional. Ajo në fund u shpreh e impresionuar me punën e tyre.

Në emër të komunave pjesëmarrëse, foli drejtori i Urbanizmit në komunën e Mitrovicës Veriore, Dejan Krsmanovic i cili falënderoi MMPH-në dhe UN-HABITAT-in për realizimin e kësaj punëtorie që sipas tij është mjaft e rendësishme në rrugen e tyre të hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor, e cila në veçanti do të jap drejtimin e zhvillimit për planet zhvillimore komunale, vlerësimin strategjik mjedisor dhe hartat zonale.

Gjatë kësaj punëtorie, komunat kanë marrë njohuri nga zyrtarë të MMPH-së dhe UN-HABITAT-it mbi procedurat e hartimit të dokumenteve të planifikimit, duke përfshirë planin zhvillimor komunal, harten zonale,vlerësimet strategjike mjedisore dhe planet tjera sektoriale.

Në kuadër të punëtorisë komunat kanë paraqitur vizionet, qëllimet, objektivat dhe aktivitetet e ndërlidhura me legjislacionin e Kosovës për planifikimin hapësinor, përfshirë banimin, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin që ngerthejnë në vete edhe fusha tematike tjera. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli