Aktuale

Mostrat e zarfeve nga Serbia megjithatë do të dërgohen për analiza jashtë vendit

Asnjëri nga 12 pacientët e hospitalizuar në Infektivën e QKUK’së nuk kanë sëmundje ngjitëse, ani se të njëjtit të dielën janë përballur me një reaksion teksa po i numëronin zarfet me vota që kishin ardhë nga Serbia për në Kosovë. Por ende nuk po dihet se si ka ardhur alergjia tek këta zyrtarë. Autoritetet e hetuesisë kosovare janë duke e kërkuar një laborator për t’i bërë analizat e marra nga mostrat në vendin ku kanë qenë votat e serbëve. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, tha për Express se këto analiza do të dërgohen jashtë shtetit

Kjo ngase sipas tij, vendi nuk ka ndonjë laborator i cili do t’i bënte këto analiza në mënyrë të detajuar. Megjithëkëtë, Munishi ka deklaruar se deri më tani janë ndërrmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se kanë mbetur vetëm rezultatet e mostrave të marrë për analizë.

“Sipas asaj që e kemi parë, kemi vendosur që këto analiza të bëhen jashtë vendit, prandaj është herët dhe çkado që them, ndoshta mund të gaboj. Analizat duhet të bëhen jashtë vendit sepse nuk kemi një laborator i cili bën analiza të detajuara, ashtu siç po kërkohet tash”, tha Munishi.

Ai nuk ka dhënë detaje se në cilin vend mund të dërgohen mostrat për analiza.

“Është shumë herët, jemi duke punuar për ta gjetur ku, por për momentin është shumë herët”, tha Munishi.

Por ndryshe prej Munishit dje është deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Ai për Express deklaroi se beson se Kosova ka laborator në të cilët mund të bëhen analizat toksikologjike.

Pyetur se a ka ndonjë mundësi që analizat toksikologjike të dërgohen jashtë vendit për ekzaminim, ai deklaroi se Kosova ka laboratorë toksikologjikë të cilët janë të aftë që t’i kryejnë këto analiza.

“Ne jemi duke e mbikëqyrur procesin. Në Kosovë ka laboratorë toksikologjikë dhe besoj që mund të kryhen edhe këtu”, tha për Express, Mustafa.

Megjithkëtë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse për 12 personat të cilët janë hospitalizuar të dielën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë.

Pas rezultateve të analizave, të cilat janë bërë publike pas 48 orëve, ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së kësaj Klinike, Lindita Ajazaj-Berisha, tha se rezultatet e analizave nuk kanë treguar ndonjë sëmundje infektive.

“Prej rezultateve të cilat i kemi marrë është konfirmuar që nuk ka sindromë infeksioze”, tha Ajazaj- Berisha.

Të 12 punonjësit e Komisionit Qendror Zgjedhor janë hospitalizuar pasi në duart dhe fytyrën e tyre, janë shfaqur shenja të një lloj alergjie.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive në Prishtinë, kanë përjashtuar mundësitë e ndonjë sëmundjeje ngjitëse për 12 personat të cilët janë hospitalizuar të dielën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë.

E zgjedhjet e parakohshme paralmentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës./GazetaExpress