Aktuale

Muhaxheri shpalos prioritetet kryesore për mandatin e ardhshëm në Pejë

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë sot platforma për mandatin e ardhshëm qeverisës do të mbështetet në 15 shtylla, prej të cilave më të rëndësishme do të jenë turizmi, bujqësia dhe arsimi.

“Kemi punuar shumë në tre vjetët e kaluar për të realizuar projektin ‘Borea’, i cili i mundëson Komunës së Pejës zhvillim të hovshëm ekonomik. Projekti i teleferikut i mbështetur edhe nga bujqësia e mundëson hapjen e shumë vendeve të punës dhe shndërrimin e Pejës në një destinacion të rëndësishëm turistik. Këta dy sektorë ne i shohim si asete të rëndësishme të zhvillimit të tërë Rajonit të Dukagjinit”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se LDK ka punuar shumë me ekspertët e saj për të krijuar platformën për secilën komunë, varësisht nga specifikat e tyre.

“Kemi vlerësuar se prioritet i qeverisjes lokale duhet të jetë zhvillimi ekonomik lokal, pasi llogarisim se gjithçka duhet të ndërtohet mbi bazën e këtij zhvillimi”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa e ka vlerësuar lart kontributin e aktivistëve të LDK-së derisa është shprehur optimist se në zgjedhjet e 22 tetorit, LDK-ja do të dalë me rezultate shumë të mira.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka përsëritur faktin që është hera e parë që një parti politike po i qaset zhvillimit ekonomik lokal me këtë lloj platforme dhe këtë po e bën LDK-ja.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur më hollësisht për platformën e zhvillimit ekonomik lokal.

“Në një kohë kur jemi në fushatë intensive, fokusimi në takimet dhe bisedat me bizneset tregon qartë se LDK-ja është adresa e vetme në Kosovë kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik”, ka thënë Abdixhiku.

Zhvillimi dhe funksionimi i zonave ekonomike, rishikimi i taksave komunale, rritja e financimit komunal, rregullimi urban në funksion të zhvillimit të biznesit, mbrojtja e ambientit, transporti e infrastruktura, subvencionimi i prodhimeve dhe bizneseve vendore, bujqësia dhe zhvillimi rural, shërbimet publike efikase, dhe arsimi parauniversitar për zhvillim ekonomik, janë pikat e platformës zhvillimore të LDK-së, për të cilat Abdixhiku ka folur veç e veç.

Haki Rugova, kryetar i Komunës së Istogut, ka theksuar se një komunë e vogël si Istogu, nëse investon mbi 20 milionë euro vetëm për investime kapitale është diçka që nuk mund të nënvlerësohet.

Ai ka shtuar se Istogu është në përfundim të infrastrukturës bazike, e cila ka nevojë edhe për disa intervenime, derisa ka njoftuar se projektet e mëdha për katërvjeçarin e ardhshëm kanë të bëjnë me bujqësinë dhe turizmin, e po ashtu ka premtuar përkrahje të pa rezervë për bizneset.

the authorE B