Aktuale

Muri i Mitrovicës prishet në janar

Me 74 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës miratoi Propozim-rezolutën lidhur me ndërtimin e murit në mënyrë ilegale në pjesën Veriore të Mitrovicës.

Nga kjo projekt rezolutë me dakordim të të gjitha Grupeve parlamentare të LDK, PDK, Nisma dhe VV janë hequr dy kërkesa që janë paraqitur në projekt rezolutën javën e kaluar, e që ishin kërkesa që kryeministri të bëjë shkarkimin e menjehershem të Edita Tahirit dhe negociatat të ndërpriten.

Pal Lekaj i cili paraqiti rezolutën e propozuar, tha se ky vendim u mor duke parë që dy partitë në pushtet, nuk ishin dakord dhe ishte insistimi i partive opozitare, që muri të prishet dhe të mos betonizohet ndarja e Mitrovicës.

“Me lejoni ta lexoj Rezolutën e propozuar nga gjithë shefat e grupeve parlamentare dhe dakordimin e tyre, por që si propozues që është kryetari i GP të AAK s-ë. Të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës dhe kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit 2017. Nën dy, Qeveria e Kosovës, të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, të marrin veprime ligjore për murin që është në ndërtime sipër në pjesën e urës së Ibrit. I njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje. Nën tre Qeveria të marrë masa të nevojshme, që mos të ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që kishte para vitit 1999, e jo ti shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët. Nën katër të bëhet e mundur që sa më parë qytetarët të kthehen n ë pronat e tyre në dy pjesët e qytetit të Mitrovicës”, tha Lekaj.

E nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Sabri Hamiti, duke komentuar rezolutën e grupeve parlamentare për murin në Mitrovicë, ka thënë se pika 1 dhe 4 nuk marrin përgjegjësi se kush duhet ta rrënojë murin dhe kush duhet të kujdeset për t’i kthyer të zhvendosurit.

“Është një ngatërrim i çuditshëm në formulim. Sido që të jetë një subjekt ku orientohet. Por pika 1 dhe 4 nuk kanë subjekt dhe Kuvendi nuk e di pse abstenon në këtë formë. Flet në formë kaq neutrale për obligime institucionale. Nëse s’do të marrë vet Kuvendi përgjegjësi, atëherë ti jap dikuj, ose t’i jap edhe vetës edhe dikujt. Ky është abstenim. Kjo është formë neutrale, që si përgjigjet asnjë fije diskutimit disa orësh që ka ndodh këtu. Ose diskutimi ka qenë i dramatizuar pa arsye, ose teksti është neutralizuar pa arsye. Sepse nuk mund të thuhet të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit. Muri nuk mund të vet rrënohet. Ka subjekt që e merr këtë përgjegjësi. Atëherë nëse nuk thuhet qeveria, nuk thuhet Kuvendi. Atëherë iu lutem thuani institucionet e Republikës së Kosovës, obligohen që muri të rrënohet”, tha ai.

Ndërkaq deputeti Rexhep Selimi, tha se duhet të caktohet subjekti se kush do ta rrënojë murin dhe cilin mur, pasi që ka shumë mure ilegale në veri.

“Përveç që duhet gjendet subjekti se kush do ta bëjë, do të duhej të përcaktohej dhe për cilin mur bëhet fjalë. Sepse këtu po thuhet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës. po ua konfirmoj dhe njëherë se aty ka aq shumë mure ilegale, në pjesën veriore. Jo pse nuk e dimë për cilin muri bëhet fjalë. Po pse të mos saktësohet për cilin mur bëhet fjalë.. Duhet të përcaktohet edhe kush do ta rrëzoj dhe cilin mur do ta rrezoj. Sepse ndoshta mbesim qesharak në fund”, tha ai.

E deputeti Bekim Haxhiu tha se është dashur që të merren më seriozisht me veriun e vendit.

“Kam menduar që vërtetë si Kuvend do të merremi me seriozisht sa i përket aspektit të veriut. Jo vetëm me murin. Sepse ai mur as që është dashur të jetë temë. Sepse është ndërtuar nga strukturat kriminale dhe kontrabandës atje dhe është dashur të rrënohet. Asnjë rrethanë nuk është dashur të negociohen e në veçanti të jetë në formë të rezolutes. Si do që të jetë është pajtueshmëri e të gjithëve, që duhet ta përkrahim, që vërtetë të rrënohet ky mur të adresohen bartësit e institucioneve”, tha Haxhiu.

Ndërkaq Daut Haradinaj i paraqiti disa materiale të komunikimit të ministres Edita Tahiri drejtuar kryeministrit Isa Mustafa, nga i cili kërkonte t’i ndalej presioni për rrëzimin e murit.

“Përfundimisht kjo ministre po të kishte Qeveri normale në Kosovë, ajo sot ishte dashur me shku në shtëpi e nesër me u përgjigj para ligjit. Sepse kjo në fund të fundit, është e kundërligjshme. z kryetar ka me t’i lënë këto transkripte, shpresoj që edhe kryeministri i sheh. E di që ka pasur takim. U kanë kryetari i komunës, z.Çitaku sekretar permanent, kryetari i veriut dhe jugut, ministresha. Ka pasur përfaqësues të Brukselit, përfaqësues të Ambasadës amerikane. Të gjithë njëzëri janë dakorduar që ky është një projekt ilegal dhe shteti nuk ka funksionu. Përkundrazi këtu në referim thotë se ministri për planifikim hapësinor po më bën presion, që me implementu sa më shpejt ligjin, për me heq murin dhe i thotë ‘Z. Kryeministër merri masat kundër këtij ministri’. Dej këtu ka ardhur situata. Kënd e mbron ajo Kosovën, a e mbron Serbinë, a kënd dreqin e mb ron Edita Tahiri. Ec e biri në fije. Por këto materiale janë të saj dhe të nënshkruara prej saj dhe duhet me u përgjigj ajo zoja”, tha ai.

Por Veseli i tha se materialet do t’ia jap deputetëve jo atij.

“Faleminderit këto materiale Daut veç me ua shpërnda gjithë deputetëve, sepse unë s’kam çka i mbaj për vete. I kanë deputetët. Administrata ua vendos në kutitë për Vitin e Ri”, tha Veseli.

E Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën tha se duhet të rikthehet pika e Rezolutës, ku kërkohet dorëheqja e ministres Edita tahiri.

“Nga ajo që tha Daut Haradinaj, të rikthehet pika e parë e rezolutës për dorëheqjen e ministres Tahiri. Për shkak se nëse qëndron ai komunikim, komunikim i cili ka të bëjë me sfidimin e ligjit dhe kushtetutës dhe natyrisht nëse kemi kësi ministra në Qeveri, që komunikojnë me këtë gjuhë, në disfavor të shtetit të Kosovës, atëherë faktikisht ata kanë me sfidu dhe këtë rezolutë koti, të cilën jemi duke e nxjerr vetëm sa me ba rendin si parlament”, tha ai./KP