Aktuale

Mustafa: FSK nuk mund të bëhet FAK pa votat e serbëve

Muri i ngritur së fundmi afër urës së Ibrit në veri të Mitrovicës, ka përkeqësuar edhe njëherë raportet kështu ashtu të tensionuara mes shqiptarëve dhe serbëve. Megjithatë, për të parin e Qeverisë së Kosovës mbetet vetëm çështje ditësh se kur do të largohet ai mur nga aty.

Isa Mustafa, në një intervistë për KosovaPress, tha se me serbët në Bruksel asnjëherë nuk është biseduar për ndërtimin e mureve të reja.

 

“Është paraparë që të ketë dy rreth rrotullime edhe në pjesën jugore dhe në pjesën veriore të Mitrovicës dhe po ashtu marrëveshja parasheh që rruga e Karl Petrit ne veri të shndërrohet në rrugë të këmbësorëve, asnjë element tjetër nuk ka të marrëveshjes e cila parasheh pengesa, parasheh barrikada, parasheh mure, prandaj çdo veprim i tillë ka qenë veprim ilegal sepse edhe në projektet të cilat i ka kërkuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga veriu do të thotë nuk ka asnjë projekt në të cilën shfaqet muri ose në të cilin është lejuar ndërtimi i murit, prandaj në këtë aspekt ne konsiderojmë që është ndërtim ilegal, është një objekt që është ndërtuar në mënyrë jo ligjore, ilegale për të cilin nuk mund të negociojmë me askënd, as me Serbinë as nuk e kemi mendjen të diskutojmë në Bruksel sepse nuk mund ta bëjmë ne një veprim ilegal tani objekt të diskutimit sepse ata munden çdo ditë tà « na ndërtojnë nga një mur dhe të themi ejani shkojmë në Bruksel dhe e diskutojmë këtë dhe me gjet arsye që Serbia tani po bënë përpjekje me zgjidh çështjet ose kontekstet me Kosovën me dialog në Bruksel. Do të thotë ne mund të dialogojmë për çështje e kaluara, për ato që i kemi trashëguar, për asetet që po na i mbanë peng Serbia, edhe për strukturat paralele të cilat po veprojnë e të cilat duhet të hiqen ose zhbëhen, por këto tjerat nuk janë çështje të cilat ne do t’i diskutojmë, ne e kemi bërë të qartë edhe Bashkimit Evropian edhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë se ata mbesin obligim që ta rrënojnë atë mur ta heqin ata që e kanë ndërtuar, ndërkaq nuk ka negociata për të”, tha Mustafa

Mustafa tha se e mira e së mirës do të ishte që vetë serbët ta heqin murin, përderisa janë ata vetë që kanë provokuar me ndërtimin e tij. Megjithatë, kryeministri i Kosovës tha se nëse serbët nuk do ta bëjnë për një kohë të shkurtër, atëherë mbetet të respektohet dhe vihet në funksion vendimi i autoriteteve tona, që vijnë nga vlerësimi i inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, që ai muri është ndërtuar në mënyrë ilegale dhe si i tillë duhet të hiqet.

 

“Tash mund të them se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, inspektorët e ministrisë sepse janë çështje ligjore, e kanë vizituar  kanë  konstatuar ndërtimin ilegal, kanë dhënë po ashtu edhe vendimet e tyre se çfarë duhet të bëhet, vendimi është që nuk mund të ekzistojë, duhet të hiqet muri dhe unë mendoj që mbetet obligim ligjor që ai të hiqet sepse nuk i plotëson kushtet dhe nuk mund të ekzistoj në asnjë mënyrë ose të pajtohemi me një objekt të tillë. E mira e të mirës kishte me qenë që atë ta bëjnë serbët sepse janë ata që e kanë ndërtuar, ta evitojnë në mënyrë që pastaj të mos ketë ndonjë pengës tjetër”, tha Mustafa.

Në pyetjen nëse qeverisja Mustafa po tregohet mjaftë zemërgjerë me serbët, të cilët nuk janë pajtuar as në vitin e kaluar për ta votuar ushtrinë e ardhshme të Kosovës, kryeministri i vendit thotë se me patjetër u duhen votat e shumicës së serbëve në Kuvendin e Kosovës. Nga ana tjetër, Isa Mustafa pranon se serbët që janë pjesë e koalicionit të tij qeverisës janë pa vullnet politikë, dhe sytë e veshët vazhdojnë t’i mbajnë nga Beogradi.

 

“Tash unë nuk po ta shfrytëzoj këtë shprehje për hatër, por po vlerësoj që mirë po thua sepse nga njëherë lihet përshtypja në opinion se kështu ne po i përkëdhelim serbët dhe tash për hatër të tyre po e pësojmë. Në të vërtetë nuk është për hatër të tyre, por është për mungesë të vullnetit të tyre që ata të votojnë. Ky është problemi sepse ne duhet t’i kemi dy të treten e votave në Kuvend, që nënkupton se duhet të kemi 80 vota së paku. Sa i përket votave të shqiptarëve jam i bindur se në këtë aspekt nuk dallojnë fare dhe të gjithë deputetët shqiptarë do ta votojnë, nuk dyshoj fare mirëpo është problem që duhet të kemi edhe dy te tretën e votave të minoriteteve ose të deputetëve jo shumicë me u shprehë në mënyrë kushtetuese që nuk i kemi sepse duhet të kemi së paku 14 vota, do të thotë 11 në Kuvend prej të 20 janë të listës serbe. Prandaj në këtë aspekt ne kemi bërë përpjekje deri t ani të bisedojmë me Listën, të bisedojmë edhe me anëtarët e Qeverisë nga Lista Serbe që janë në Qeveri në mënyrë që t’i bindim që ata të votojnë, kemi pasur disa takime disa biseda ju kemi dhënë gati të gjitha materialet dhe ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të bëhen, sepse duhet të shkojnë ndryshimet kushtetuese ato i kërkojnë këto, po të mos ishin ndryshimet ne i kishim aprovuar si ligj në Kuvend sepse kemi vota të mjaftueshme. Por mund të konstatoj se nuk është fjala për vullnetin ose mos vullnetin e tyre, është fjala që qëndrimi i tyre në këtë aspekt akoma diktohet nga Serbia, nga Beogradi dhe pengohet. Do të bëjmë përpjekje ti bindim, jo të punojmë për hatër të tyre por që ti bindim që ata të votojnë, përderisa mos ta votojnë ne nuk mund ta bëjmë transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur në mënyrë kushtetuese”, tha Mustafa.

Në intervistë për KosovaPress, kryeministri i Kosoëvs, Isa Mustafa, tha se sa i përket reformatimit të mundshëm të Qeverisë nuk ka asnjë lëvizje përveç diskutimeve të zakonshme mes partnerëve të koalicionit. Mustafa tha se ide e tyre ka qenë që Qeveris e Kosovës të ketë shkurtim të ministrive në qeverisje, duke mundësuar funksionimin e disa ministrive në një, në mënyrë që të kemi më pak anëtarë në qeverisje. Dhe kjo nuk do të sillte vetëm shkurtime të shpenzimeve, por edhe një funksionim më të mirë të dikastereve të ndryshme në ministritë që do të përcaktoheshin. Megjithatë, duke thënë se është duke u bërë një punë e mirë në qeverisje, Isa Mustafa tha se për kohëzgjatjen sa i mbetet kësaj qeverisje, është më mirë që të fokusohemi në realizimin e objektivave dhe krijimin e   mundësive që këtë plan të ‘ngushtimit’ të Qeverisë ta bëjnë në mandatet e ardhshme.

Me kryeministrin Mustafa, në bisedë për KosovaPress u fol edhe për çështje me rëndësi për qytetarët. Faturat e larta të energjisë elektrike dhe gjasat për ngritje të tyre me investimet në Termocentralin e re, kryeministri Mustafa tha se po bënë përpjekje maksimale që qytetarët të mos ngarkohen me shpenzimet që vijnë të faturuara nga Rregullatori.

 

“Kemi konsultime të kohëpaskohshme në çështjen për disa balance të cilat ky rregullator duhet t’i aprovojë dhe t’i bëjë , por do të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët të mos ngarkohen, në afat të shkurtër. Ndërsa në afat gjatë ne duhet të gjejmë zgjidhje që edhe ngrohja e qytetarëve edhe disa shpenzime të mos jenë shpenzime të lidhura drejtpërdrejtë me energjinë elektrike, të shfrytëzohen burime të tjera alternative ashtu siç është vepruar këtu në Prishtinë me shfrytëzimit e avullit të ujit për ngrohje të qytetarëve, gjë që po vjen shumë më lirë dhe është shumë ma efikase, kemi tani edhe një shumë të mjeteve që janë të destinuara për këtë Ngrohtoren në kryeqytet dhe ngrohtoren në Gjakovë, por jemi shumë të interesuar që këtë sistem ne ta zgjerojmë dhe ngadalë përmes saj pastaj të ndikojmë, jo drejtpërdrejtë në rënien e ngarkesës së buxhetit familjar për ngrohje, por edhe të çmimi t të energjisë elektrike. Më shumë nuk mund të paralajmëroj tani, por duhet të kemi parasysh që edhe ndërtimi i termocentralit të ri, Kosova e re mund të përcillet pra me probleme në çmimin e energjisë elektrike sepse vetë investimet që parashihen të bëhen, parashohin që edhe çmimi i energjisë elektrike mund të jetë më i madh. Por është një kohë më e largët sepse nuk mund të bëhet më shkurt se për pesë vjet dhe deri atëherë unë mendoj që edhe standardi i qytetarëve do të ngritët dhe portofolia e tyre familjare do të jetë më e pasur në mënyrë që të mund të i përballojnë këto shpenzime”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ndërsa sa i përket ajrit të ndotur në rritje në rajonin e Prishtinës, kryeministri Mustafa tha se po bëjnë përpjekje që të ndërrojnë kriteret e importimit të automjeteve të vjetra dhe ndotëse, në mënyrë që të pakësohen rezultatet e ndotjes. Mustafa tha se problem në këtë aspekt është edhe ngrohja që qytetarët shfrytëzojnë gjatë stinës së dimrit, që sjell pasoja në rritjen e treguesve të ajrit të ndotur në kryeqytet.

 

“Është një orientim edhe propozim që të shohim përmes ministrisë së Financave dhe ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që të ndërrojmë kriterin e importimit të automjeteve, në mënyrë që të ulim ndotjen e ambientit dhe të ajrit përmes automjeteve të vjetra të cilat po importohen dhe lëshimin e gazrave nga to dhe jemi marr vesh me ushtruesin e detyrës së ministrit që të përgatisim  një propozim të tillë në Qeveri dhe të veprojmë sa më shpejtë,  në mënyrë që të evitojmë këto efekte anësorë që nuk vijnë drejtpërdrejt nga tymtarët e termocentraleve ose nga oxhakët e shtëpive, sepse edhe ajo është problem për arsye se po përdoret thëngjilli, po përdoren drunjtë, po përdoret nafta, po përdoren vajrat e ndryshme ose mbeturinat nga vajrat dhe po krijohet një hapësirë shumë e ndytë dhe një ambient i ndytë. Prandaj, në këtë aspekt po punohet, unë nuk mund të them se do ta zgjidhim shpejt, ne mun d të ndikojmë që të themi përqindja e ndotjes së ambientit pakës të zvogëlohet. Por, zgjidhja më e mirë do të ishte të gjejmë burime alternative të ngrohjes, në mënyrë që të mos kemi djegie të tillë çfarë kemi për ngrohje”, tha Mustafa.

Raportet e Kosovës me vendet e Rajonit dhe më gjerë, i pari i Qeverisë së Kosovës i konsideron si të shëndosha. Ai thotë se me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është arritur që vendet e Rajonit të bashkëbisedojnë për të ardhmen e tyre në infrastrukturë, lehtësime tregtare, bashkëpunime ekonomike, etj.

 

“Sa i përket vendeve në rajon ne kemi kultivuar marrëdhënie shumë të mira, falë programit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që është lansuar në Berlin me iniciativën e kancelares Merkel, pastaj kemi vazhduar në Vjen, këtë vit e kemi pasur në Paris, vitin e ardhshëm do ta kemi në Itali e cila po mundëson që ne të ulemi bashkërisht dhe të merremi vesh për çështjet e ndërtimit të infrastrukturës, lidhjeve infrastrukturore por edhe bashkëpunimit ekonomik dhe lehtësimit tregtarë, si dhe bashkëpunimit me rininë. Disa fusha shumë të rëndësishme për ne dhe unë mund të them se raportet, relacionet janë shumë të mira me kryeministrat e këtyre vendeve, me atë të Serbisë ne kemi edhe takime të veçanta që mbahen në Bruksel, do të thotë në dialog, por kemi marrëdhënie korrekte dhe sa i përket kësaj ne kemi pas gjatë kësaj periudhe edhe vizita të rëndësishme në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Mustafa.

Se Kosova ia ka nevojën ende ndihmës së Amerikës, e thotë vet kryeministri Mustafa, i cili shpreson që me amerikanët do të ndihmojnë kosovarët në forcimin e shtetit ligjor, forcimin e  institucioneve dhe në njohjet që i duhen vendit.

 

“Tani sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne atë e kemi partner strategjik, ndërtimin e këtij vendi, çlirimin, e kemi pas në bazë të përkrahjes më të madhe që kemi pasur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi akoma nevojë për përkrahjen politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos tek forcimi i shtetit ligjor, tek forcimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, kemi nevojë që ta kemi një përkrahje tek njohjet,  sepse ata na kanë ndihmuar shumë në njohje me vendet në të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend me autoritetin më të madh botërorë, kanë përkrahë pavarësinë edhe kanë punuar që të kemi njohje më shumë. Kemi nevojë që të kemi edhe përkrahjen e tyre vitin e ardhshëm në anëtarësimin në UNESCO dhe në Interpol që janë dy organizata mjaftë të rëndësishme për ne, por edhe integrimet evropiane sepse pa marrë parasysh që ata nuk janë pjesë e Bashkimit Evropi an ndikimi i tyre në Evropë është shumë i madh dhe për neve ky rol i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pa zëvendësuar dhe ne besojmë shumë që edhe administrata e cila do të fillojë nga viti i ardhshëm me Presidentin Trump do të përkrahë Kosovën dhe ne gjithmonë do të jemi të interesuar që te fuqizojmë këtë bashkëpunim”, tha kryeministri i Kosovës.

Ndërsa sa i përket presidentit të ri të Amerikës, Mustafa beson në thellim të bashkëpunimit me administratën e presidentit Trump, ani se ai deri tash nuk ka marrë ftesë në ditën e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve.

 

“Nuk kemi marrë ftesë. Nuk jam i sigurt se a do të ketë organizim të tillë të pjesëmarrjes nga jashtë në inaugurim, mirëpo ne i gëzohemi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kapërcyer këtë proces. Respektojmë vullnetin e qytetarëve të institucioneve dhe të si sistemit zgjedhorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , prandaj presim që vitet e ardhshme ne do të thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Mustafa. /KosovaPress/