Ekonomi

Mustafa: Investimet sivjet në kryeqytet kapin shumë rreth 9 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku të martën inauguruan fillimin e punimeve për zgjerimin e rrugës Prishtinë- Veternik, e cila do të jetë rruga e parë në Kosovë me 4 korsi në një drejtim, pra 8 korsi në të dy drejtimet.

Me këtë rast shefi i Ekzekutivit vlerësoi se këto investime po bëhen në bazë të detyrimeve që i kanë për të krijuar kushte më të mira për qytetarët. Ai konsideroi se ky projekt është investim për kryeqytetin, duke vënë në pah se investimet gjatë këtij viti në Prishtinë kapin shumën afër nëntë milionë euro.

 

“Ne këtë e konsiderojmë si investim për kryeqytetin. Është një hyrje, e cila do të jetë madhështore jo vetëm në pamje, por do të jetë madhështore edhe në pikëpamje të funksionimit, sepse tani kemi dy rrugë nga katër korsi dhe me gjithë infrastrukturën tjetër për këmbësorë dhe për biçikleta. Edhe pjesa tjetër e ndërtimit të rrugës deri te udhëkryqi për Pallatin e Drejtësisë, është një hap shumë i rëndësishëm, sepse ajo shënon edhe fillimin e unazës për Prishtinën, e cila më vonë mund të lirojë qarkullimin e automjeteve për qytetin e Prishtinës dhe vazhdimin e unazës ashtu siç ka qenë e paraparë me projekt. Andaj, i vlerësoj si investime shumë të rëndësishme jo vetëm sa përket shumës, e cila është rreth 9 milionë euro që parashihen sivjet të bëhen në këtë pjesë, por edhe sa i përket funksionalitetit”, theksoi Mustafa.

I pyetur nga mediat se a po bëhet ky projekt për shkak të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë, Mustafa ka mohuar se ky investim është për fushatë zgjedhore dhe se investimet në kryeqytet po bëhen për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.

 

“Jo, punët janë punë të planifikuara me buxhet për këtë vit. Dhe buxheti vazhdon ashtu siç vazhdon jeta, edhe fushatat vazhdojnë ashtu siç janë, sepse ne kemi zgjedhjet lokale në këtë vit, por kjo nuk bëhet as për zgjedhje lokale, e as për zgjedhje nacionale. Mirëpo, bëhet që të përmirësojmë jetën e qytetarëve”, tha kryeministri Mustafa.

Edhe ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, duke vlerësuar lart këtë projekt, tha se ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Po ashtu, në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare me ndriçim dhe shteg të biçikletave.

“Zgjerimi i rrugës do të bëhet me katër korsi, do të ketë edhe shtegun e biçikletave dhe ndriçimin si dhe trotuarin për këmbësorë. Është një investim prej tre milionë eurosh. Përpos kësaj e njoftova kryeministrin se ne kemi filluar çlirimin e rrugëve të Prishtinës, apo trafikun për të gjithë qytetarët. Sivjet kemi vazhduar edhe me zgjerimin e rrugëve prej “QMI-së” deri në Veternik, si dhe zgjerimin e rrugës prej Prishtinës në drejtim të Fushë Kosovës. Tash po vazhdojmë me projektin aktual, kurse në procedurë të tenderimit është edhe zgjerimi prej urës së Veternikut deri tek udhëkryqi që çon te Pallati i Drejtësisë. Po ashtu, po punojmë ne ri-projektimin e  gjithë kyçjes, apo urës që njihet si ura e Veternikut”, tha ministri Zharku.

Sipas tij, projekti në fjalë është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë -Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,589,674.34 eurosh, ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh.

Punimet e llotit 2, sipas kontratës, parashihet të përfundojnë brenda 110 ditësh pune. Punë kryes i këtij projekti është kompania “Beni com”.

Ministri Zharku tha se përpos këtij projekti, në komunën e Prishtinës janë edhe disa projekte të tjera. Vitin e kaluar, sipas tij, kanë filluar me asfaltimin e rrugës Dheu i Kuq – Mutivodë, ndërsa, sivjet do të realizohen projektet edhe për Hajkobillë-Zajçefc, Stallovë deri në Marec, si dhe disa projekte të tjera. /KP