Aktuale

Mustafa: Me murin në veri merret ligji dhe vetëm ligji

Shefi i Qeverisë së Kosovës, në një dalje para mediave, sot përmendi edhe murin që nisi të ndërtohet në veri të Mitrovicës.

Isa Mustafa tha se tentimi për ndërtim të një muri në veri të Mitrovicës, nuk mund t’i vejë në korrelacion të arriturat dhe sukseset e Kosovës duke zbehur të mirat me lajme të tilla. “Muri do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente dhe nga Bashkimi Evropian që e ka projektin konkret. Ato janë gjëra që trajtohen me ligj për të cilat s’kemi nevojë të marrim qëndrime pompoze politike, sepse janë gjëra që trajtohen me ligj dhe çështja e murit do të trajtohet mbi bazën e ligjit. Ne nuk e qesim gjoksin ti tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e bënë ligji. Çdo gjë do të shkojë sipas ligjit”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke kërkuar që të mos dramatizohet situata më tej.

Në pjesën e fjalës së tij, i pari i Qeverisë përmendi edhe shkuarjen e tij në Leposaviq. Mustafa tha se në veri ka shkuar me ftesë të komandantit të KFOR-it në inaugurimin e urës.

“Kemi shkuar rrugëve të Kosovës dhe kemi shkuar në territor të Kosovës dhe jo të Serbisë. Ne kemi marrë informatë rrugës që disa qytetarë kane dal në rrugë dhe ne kemi shkuar pa asnjë pengesë në vendin ku është inaugurua rruga. Ne kemi shkuar përmes një rruge pa u ballafaquar me qytetarët. Për ne është më rëndësi që kemi shkua atje, s’kemi pasur pengesë dhe nuk jemi vonua. Nuk është mire që të krijojmë informata të tilla që jemi pengu. Do të shkojmë prapë dhe nuk do ti zgjedhim rrugët. Gjendjen nuk e kemi mire atje, ngase atje ka forca që dëshirojnë të vënë pengesa, por ka dhe forca qe duan t’i heqin këto pengesa”, ka deklaruar kryeministri Mustafa. /KosovaPress/