Mustafa: Për dy vjet kemi krijuar 40 mijë vende pune

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se koalicionin qeverisës PDK-LDK përgjatë këtyre dy viteve ka krijuar mbi 40 mijë vende pune.

“Në anën tjetër, raporte të ndryshme konfirmojnë se në dy vjet kemi krijuar mbi 40.000 vende të reja të punës. Raporti i fundit i ASK-së tregon për numër të përgjithshëm të të punësuarve në Kosovë prej 347,185 deri në tremujorin e tretë 2016, që është numri më i lartë ndonjëherë”, ka thënë Mustafa.

Përmes Facebokut, kryeministri thotë se vendi ka siguruar qëndrueshmëri financiare dhe fiskale me rritje stabile ekonomike prej mbi 4% për vitin 2015 dhe 2016, ndërkaq zotohet së në vitet në vijim rritja do të jetë edhe më e madhe.

Politikat e Qeverisë që ai udhëheqë sipas  Mustafës, nxisin sektorin privat, lindjen e bizneseve të reja dhe vendeve të reja të punës nga sektori privat.

Duke u thirrur në  statistikat e biznesit kryeministri thotë se në vitin 2016 janë hapur 10549, e janë mbyllur 2379 biznese.

“Sipas European Commerce Registry Forum, ky raport i bizneseve të reja kundrejt atyre të mbyllura është më i miri në Evropë.  Përderisa në Kosovë po rritet biznesi privat, i cili po gjeneron vende pune e rritje ekonomike, në disa vende të rajonit këto trende janë negative, që nënkupton se më shumë mbyllen biznese në krahasim me ato që hapen”, ka shkruar Mustafa./KosovaPress/