Aktuale

Mustafa shtyu mbledhjen e përbashkët të dy qeverive

Për shkak të një vizite jashtë vendit që do ta realizojë këtë javë kryeministri Isa Mustafa, mbledhja e katërt e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila ishte paraparë të mbahet sot (e hënë) në Vlorë, është shtyrë për një tjetër datë.

Kështu kanë bërë me dije për gazetën “Epoka e re” zyrtarë nga kabineti i kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas tyre, kjo është e vetmja arsye e shtyrjes së kësaj mbledhje të përbashkët, e jo për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve.“Ministria e Punëve të Jashtme është duke e koordinuar këtë çështje. Unë e di se kryeministri do të udhëtojë jashtë vendit këtë javë, kështu që praktikisht nuk mund të mbahet mbledhja e përbashkët me datën e paraparë. Se kur është ri-aranzhuar data e përshtatshme për këtë mbledhje duhet të flasë MPJ-ja”, ka thënë Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.

Por, një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kryeministri tash duhet ta propozojë një datë tjetër. Sipas këtij burimi, ministritë e jashtme të të dyja vendeve vetëm e koordinojnë agjendën.