Aktuale

Mustafa: Sido që t’i bëni llogaritë LDK del më e mira

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur programin e saj qeverisës për Komunën e Artanës, ku kandidati për kryetar Bajrush Ymeri ka premtuar zhvillim të turizmit rural dhe zhvillim të të gjitha fushave tjera për qytetarët e kësaj komune.

Për të mbështetur Ymerin i pranishëm në këtë tubim zgjedhor ishte edhe i pari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka potencuar edhe njëherë se të gjitha komunat në Kosovë kanë nevojë për LDK-në, pasi që si do që të bëhen llogaritë, më e mira del LDK-ja.

Mustafa ka shprehur mbështetjen e tij të pa rezervë për kryetarin e deritashëm të Artanës Bajrush Ymerin, ndërsa ka ftuar qytetarët që ta votojnë atë edhe në mandatin e ardhshëm, në mënyrë që të përjetojnë zhvillimin e merituar.

“Sot jam para jush që të kërkojë votën e juaj për të gjithë kandidatët tanë që i kemi para jush këtu që do të jenë përfaqësues tuaj si këshilltar të LDK-së në kuvendin komunal. Prandaj votoni ata, votoni Bajrush Ymerin, votoni Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse sido që t’i bëni llogaritë më e mira gjithmonë iu del Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Mustafa.

Kandidati i LDK-së për komunën e Artanës, i cili kandidon për mandatin e katërt, është zotuar se do të vazhdojë të zhvillojë ato pika të programit që ka filluar, si dhe ka garantuar asfaltim dhe ujësjellës për fshatrat Makresh, Llabjan dhe Pasjak, ndërsa ka premtuar se në qendër të objektivave të tij do të jetë edhe zhvillimi i transportit rural.

Sipas tij, qytetarët e Artanës janë ata që nuk lejuan dhe nuk do të lejojnë asnjëherë që të marrin qeverisjen komunale ata që asnjëherë nuk i mbajtën premtimet, andaj ka ftuar që edhe kësaj radhe ata të tregojnë forcën e tyre me votë.

“Ne të gjitha këto që i premtojmë i realizojmë sepse ne nuk dimë me thënë qe 10 vjet radhazi se do të ndërtojmë një fabrikë të kërpudhave për të mos e ndërtuar kurrë. Sepse ne që jemi rugovistë me zemër, nuk shkojnë më bë marrëveshje me ata që e kanë rrënuar vendin, sepse rugovistët e vërtetë nuk e bëjnë këtë. Prandaj ju lus, që të bëni apel tek të gjithë qytetarët e komunës tuaj që të mos votojnë ata të cilët po thonë se do t’i fitojnë zgjedhjet. Për të gjitha punët e mira që keni bërë se sa të jenë gjallë këta qytetarë nuk do të lejojnë askënd për interesa të ngushta të na dëmtojnë. Prandaj ju ftoj që edhe kësaj here t’ua jepni një goditje të fortë ashtu siç ia kemi dhënë gjithmonë”, ka thënë ai.

Para elektoratit janë prezantuar edhe kandidatët për asamblenë komunale të Artanës./kp