Ekonomi

Mustafa: Do ta luftojmë monopolin, tender po fitojnë vetëm disa kompani

Kryeministri i vendit Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se duhet të luftohen monopolet, pasi që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun dhe se përfitues të tenderëve, vazhdojnë të jenë një numër i vogël i kompanive, gjë që flet për praktika të këqija.

 

“Ne duhet të kemi kujdes dhe lidhur me shpërndarjen e investimeve. Sepse kam përshtypjen që firmat e caktuara e kanë monopolizuar tregun, po marrin shumë tenderë, një numër shumë i vogël i firmave, ndërkohë tjerat nuk po marrin. Këto janë duke respektuar tërësisht ligjin, procedurat e prokurimit dhe shërbimet që i kryejnë këto punë. Por unë nuk mund t’i arsyetoj që të ngushtojmë aq shumë numrin e përfituesve të tenderëve, sepse pastaj kjo mund të flet dhe për praktika të këqija…Mendoj që duhet që të gjitha ministritë të kenë kujdes, sa më shumë operator privat t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë dhe t’i japin shanset në kushte të barabarta të përfitojnë prej tenderëve, por duke respektuar gjithmonë ligjin”, tha Mustafa.

Mustafa duke folur për çështjen e  pensioneve  për veteranët, tha se Qeveria është kushtëzuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që të zgjidhet ky problem.  Ndërsa tha se në pajtueshmëri me FMN-në,  kanë marrë vendim që vitin e ardhshëm të gjitha të dhënat sociale për këtë kategori, të mos i kapërcejnë 50 milionë euro, duke përshirë pensionet për veteranë invalid dhe nevojat tjera. Ai theksoi se duhet të zgjidhen këto çështje, me qëllim që Kosova të mbes në programin e FMN-së, sepse ndryshe rrezikohen shumë marrëveshje. Ndërsa tha dhe fitimi mbi bazat e jo meritave, cilësohet si korrupsion.

 

“Janë çështje të interesit të vendit dhe luftës kundër korrupsionit. Sepse është cilësuar se një formë e korrupsionit, është dhe përfitimi i mjeteve buxhetore, mbi bazën e jo meritave. Dhe në këtë aspekt ne duhet të krijojmë kushte të fitojnë të gjithë ata që kanë merita. Por assesi që të shfrytëzohen situatat të ndryshme për përfitime që kapërcejnë meritat dhe pastaj bëhen veprime jo ligjore”, tha kryeministri.

E ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili  njoftoi kabinetin qeveritar për trendin e të hyrave buxhetore, për periudhën janar- gusht  tha se  përgjatë kësaj periudhe, po vazhdon trendi shumë i mirë i inkasimit të të hyrave. Ndërsa tha se janë rritur shpenzimet për 5.7 përqind.

 

“Tek shpenzimet gjatë kësaj periudhe kemi shpenzuar 967.8 milion euro, që është 5.7 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Të gjitha shpenzimet po shkojnë sipas planifikimit me një rritje  me të ngadalshme të mallrave dhe shërbimeve për shkak të vendimeve që kemi marrë me herët”, tha Hoti.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim që t’i vazhdohet mandati drejtorit aktual të Policisë, Shpend Maxhuni. Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha se kërkesa për vazhdimin e mandatit të Shpend Maxhunit, është bërë duke u bazuar në performancën e mirë të tij, gjatë kohës sa ka ushtruar këtë detyrë.

 

“ Bazuar në performancën e treguar gjatë punës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës nga z. Shpend Maxhuni dhe me qëllim që të vazhdohet kontinuiteti i punës, për një performancë të tillë si dhe me qëllim të fuqizimit  të mëtejmë të policisë së Kosovës. Propozoj që drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhunit t’i vazhdohet mandati në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës”, tha Hyseni.

E fjalë të mira për policinë kishte dhe kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili  vlerësoi lart punën e këtij institucionit dhe drejtorit Maxhuni.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, i cili ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, tha se ky ligj ka prodhuar efekte pozitive për shëndetin, por sfidë mbetet zbatimi i tij.  Ndërsa tha se MSh konsideron që duhet mbështetje më e madhe nga ana e institucioneve respektive dhe autoritetet lokale, për zbatimin e ligjit në fjalë..

 

“Është i njohur fakti që ligji aso kohe gjatë vitit të parë të zbatimit të tij, kishte pasur një respektim të mirë dhe në atë kohë ishte evidentuar si një arritje në fushën e shëndetit publik dhe në raportin e progresit të KE për Kosovën në vitin 2013. Tre vjet e më tepër më pas, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji realiteti na tregon se kemi rënie të zbatimit të tij…Aktivitetet e raportuara  te koordinatori nacional për kontrollin e duhanit nga ana e ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale, MTI dhe MASHT-it, përkatësisht inspektoratit të këtyre ministrive janë simbolike, mos të them që mungojnë fare. Kjo natyrisht reflekton dhe me përkeqësim të gjendjes në terren, e veçanti në komunat me të vogla”, tha ai./KP