Aktuale

Mustafa: Të gjitha vendimet e mëdha i kemi marrë me mbështetjen e ndërkombëtarëve

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, thotë se është në kërkim të një njeriu të mençur i cili do të dinte t’i mësojë politikanët të marrin vendime të mëdha.

Ai ka kujtuar përmes Facebook-ut se ish-partneri i koalicionit PDK e kishte akuzuar për mos guxim në marrjen e vendimeve, derisa thotë se të njëjtit tashmë po bllokojnë krijimin e institucioneve.

Sipas Mustafës, vendimet më të mëdha për Kosovën janë marrë me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë.

“Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta.

Deri tani, ne kemi marrë vendime të mëdha, por të gjitha këto vendime i kemi marrë me mbështetje të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të miqve tanë evropian. Vendimi për shpalljen e pavarësisë. Vendimi i gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Marrëveshjet e dialogut me Serbinë. Njohjet e pavarësisë nga shtete të ndryshme”, shkruan Mustafa.

Kryetari i LDK-së konsideron se përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e kanë ata që e shkaktuan këtë gjendje . Ata tani sipas tij duhet të mendojnë dhe të veprojnë ndryshe.

Mustafa ka kërkuar të gjejë “të fortit” që sipas tij, marrin vendime të mëdha për Kosovën.

“Kush janë ata “të fortit” që marrin vendime “të mëdha”: Komandantët? Molotovët? Paqësorët? Kam dëgjuar deklarata të ndryshme se Kosovës i nevojiten liderë që marrin vendime të mëdha. Por për të marrë vendime të mëdha duhet pasur madhësinë e pasuesve, si qytetarë apo deputetë që përfaqësojnë sovranin. Në Kosovë, maksimalisht arrihet te një e treta”, shkruan tutje ai./KosovaPress/