Aktuale

Mustafa tregon për çka u pajtuan me Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se me kreun e VV-së janë pajtuar që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, e cila prodhon një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë kosovare.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë”, ka thënë Mustafa, raporton FaktePlus.

Me tutje Mustafa ka theksuar se kjo qeveri e re duhet të sillet me përgjegjësi edhe për zhvillimin ekonomik, arsimit, shëndetësinë, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

“Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane”, është shprehur Mustafa. /FaktePlus