Aktuale

Mustafa: Vdekja e Bajram Rexhepit, humbje e madhe për Kosovën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar sot familjen Rexhepi pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Në telegramin e kryeministrit Mustafa thuhet se ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.

“Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe veprimtarit të dalluar Bajram Rexhepi. Ndjehemi thellësisht të prekur nga kjo humbje e madhe për Ju dhe për tërë Kosovën. Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, si dhe si kryetar i Mitrovicës, duke kontribuar në avancimin e agjendës shtet-ndërtuese të Kosovës. E nderuar familje Rexhepi, më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.