Sport

Ndalet gara në RIO, ndotet uji në pishinë

Problemet e vazhdueshme me pishinën e hedhjes nga trampolina, kanë detyruar organizatorët e garave të notit në Lojërat Olimpike “Rio 2016” që të pezullojnë garën e programuar për sot.

Shkak është bërë një problem me filtrat që ka pishina, duke bërë që ngjyra e ujit të ndryshojë nga blu në jeshile dhe më pas në gri. Por, përveç kësaj, edhe era e ujit tashmë është bërë e rëndë dhe notarët kanë refuzuar të garojnë në një pishinë ku uji nuk ndërrohet prej disa ditësh.

Për këtë arsye, është vendosur nga organizatorët e Olimpiadës dhe atyre të Federatës së Notit, që garat e hedhjes nga trampolina të planifikuara për sot të anulohen. Sot duhej të zhvilloheshin garat e hedhjes për femra nga distanca 3 metra, por nuk dihet ende nëse ato mund të zhvillohen gjatë orëve të mbrëmjes.

“Pishina ku zhvillohen garat e hedhjes nga trampolina është jashtë çdo limiti të përdorimit të saj”, thanë sportistët.