Arsim & Kulturë

Ndalohet përgjegjësi i parkut të Apolonisë, lejoi vjedhjen e objekteve arkeologjike

Është ndaluar nga policia e Fierit edhe përgjegjësi i Sektorit të Ruajtjes e Administrimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë Fier si dhe janë proceduar penalisht Drejtori dhe një punonjës i Parkut të Apolonisë.

Mësohet se në pranga është vënë Arjan Dimo, 43 vjeç, banues në fshatin Pojan, Fier.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier për M.H, 47 vjeç, banues në lagjen “21 Dhjetori” Tiranë.(Me detyrë Drejtor për Parkun Arkeologjik të Apolonisë Fier) dhe Q.T, 66 vjeç, banues në fshatin Radostinë, Fier.(Punonjës në Parkun Arkeologjik të Apolonisë Fier).

Policia bën e dije se ata, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë bërë të mundur që të mos marrin masa për parandalimin, ruajtjen dhe sigurimin e veprave të artit e kulturës në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke lejuar që disa persona nëpërmjet gërmimit të kundraligjshëm në Parkun Arkeologjik të vidhnin një sasi të konsiderueshme të vlerave arkeologjike me rëndësi për identitetin e trashëgimisë kulturore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.